Rusia nis fushatën e rekrutimit pranveror, 160 mijë qytetarë do të thirren për të shërbyer

31/03/2025 20:07

Sipas dekretit, 160,000 qytetarë rusë të moshës 18 deri në 30 vjeç do të thirren për të shërbyer nga 1 prilli deri më 15 korrik të këtij viti.

Rusia do të fillojë fushatën e saj të rekrutimit pranveror që përfshin 160,000 të rinj të moshës 18 deri në 30 vjeç, sipas një dekreti të nënshkruar të hënën nga Presidenti Vladimir Putin.

Fushata organizohet dy herë në vit, në pranverë dhe në vjeshtë. Ajo do të fillojë nesër, e martë, sipas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus dhe të publikuar sot. Fushata e pranverës përfshiu 150,000 të rinj në 2024 dhe 147,000 në 2023, sipas agjencisë ruse të lajmeve Tass.

Megjithatë, ushtria thekson se këta rekrutë të rinj nuk do të dërgohen në Ukrainë për “operacionin ushtarak special”, siç quhet në mënyrë eufemistike sulmi ndaj vendit.

Një zyrtar i lartë i shtabit të përgjithshëm, zëvendës-admirali Vladimir Tsimlyansky, tha se rekrutët nuk do të dërgohen në rajonet ukrainase ku ushtria ruse po lufton dhe as nuk do të marrin pjesë në “detyrat e operacionit special”.

Kujtohet se në vitin 2023 Rusia miratoi një ligj që rrit kufirin e moshës së rekrutimit nga 27 në 30 vjeç.

Sulmi ndaj Ukrainës kishte bërë që autoritetet ruse të urdhëronin mobilizimin e më shumë se 300,000 njerëzve në vjeshtën e vitit 2022. Shumë rusë ishin larguar nga vendi në atë kohë, nga frika e rekrutimit.

Në javët e fundit, presidenti amerikan Donald Trump propozoi një armëpushim, të cilin Kievi e pranoi nën presionin e Uashingtonit. Por Vladimir Putin mbylli derën për një armëpushim të pakushtëzuar dhe të menjëhershëm dhe pranoi vetëm një pauzë shumë të kufizuar që nuk ka asnjë ndikim real në luftime.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta