
Marine Le Pen është shpallur fajtore për shpërdorim të fondeve europiane me qëllim financimin e partisë së saj të ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar.
Teksa gjykata ende nuk ka sqaruar se cili do të jetë dënimi i saj, prokurorët kanë këmbëngulur që ndëshkimi i pretendentes së fortë për presidencën franceze të mos mjaftohet vetëm tek gjoba prej 300,000 € apo gjasat e burgimit, dhe insistojnë që asaj t`i mohohet edhe mundësia për të kandiduar për poste publike për pesë vjet. Për këtë të fundit madje çuditërisht kanë insistuar, që në rast se jepet një dënim i tillë, ai të hyjë në fuqi menjëherë, pa iu nënshtruar pezullimit deri në vendimin e apelit që Le Pen besohet se do të paraqesë nëse dënohet. Nëse një vendim i tille merret vërtet, atëherë shpresat e saj për presidencën në vitin 2027, do të goditeshin rëndë.
Tre gjyqtarët që shqyrtuan çështjen, nuk janë të detyruar të ndjekin rekomandimet e prokurorisë. Por në qofte se e bëjnë këtë, atëherë kjo nënkupton që 56 vjeçares do t’i ndalohet të kandidojë në zgjedhjet presidenciale në të cilat ajo konsiderohet si fituese e mundshme. Në muajin nëntor, Le Pen pati deklaruar se prokuroria praktikisht po kërkon dënimin e saj “me vdekje politike”.
Shumë analistë franceze- mes të cilëve dhe nga ata që nuk e mbështesin normalisht Marine le Penin– kanë paralajmëruar për pasoja të rënda për demokracinë nëse gjyqësori konsiderohet se po ndërhyn në zgjedhjen e liderit të vendit.
Top Channel