
Vihet në pranga 27-vjeçari, Fadil Tafa, pasi në bashkëpunim me një person tjetër kërcënuan një shtetas që t’u jepte 1000 euro për të fshirë foto dhe shkrime nga platforma TikTok.
Policia ka ndaluar gjithashtu edhe shtetasin Leonard Haxhiu, 21-vjeç, për shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, ndodhur me datë 14.03.2024, bazuar në kallëzimin e bërë nga një person.
“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Imazhi”.
Dokumentohen 2 raste të shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë.
Kanosën një 33-vjeçar, që t’iu jepte 1000 euro, për të fshirë foto/shkrime mbi jetën private të tij, nga rrjeti social “Tik Tok”, vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër.
Ndalohet dhe 21-vjeçar, për të njëjtën vepër, ndodhur në mars të 2024.
Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Imazhi”.
Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi F. T., 27 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasja L. M., 25 vjeçe, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur një 33-vjeçar, për dhënien e shumës 1000 euro, që të fshinin disa foto/shkrime të jetës së tij private, nga rrjeti social “Tik Tok”.
Po në kuadër të operacionit “Imazhi” u ndalua shtetasi L. H., 21 vjeç, për shtrëngimin me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, ndodhur me datë 14.03.2024, bazuar në kallëzimin e bërë nga një shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Top Channel