
Edhe pse nuk përmendet në mënyrë specifike, Hungaria e Orbanit është në ‘radarët’ e partnerëve të ardhshëm të qeverisë së re gjermane, raporton artikulli i Politico.
Partnerët e ardhshëm të qeverisë gjermane, Unioni Kristian Demokrat (CDU/CSU) dhe Partia Social Demokratike (SPD), do të kërkojnë të ndalojnë fondet dhe të pezullojnë të drejtat e votës për vendet anëtare të Bashkimit Evropian që shkelin rregullat, si ato që lidhen me shtetin e së drejtës.
Sipas një raporti të Politico, si pjesë e negociatave për marrëveshjen e tyre programore, partnerët bien dakord t’i kërkojnë BE-së të vendosë sanksione ndaj shteteve anëtare që shkelin parimet themelore, siç është sundimi i ligjit.
Hungaria e Viktor Orbanit është në shënjestër, megjithëse emri i saj nuk përmendet, sqaron botimi. Megjithatë, konsiderohet se “drafti i referohet qartë shkelësit më të keq të BE-së, i cili prej vitesh është akuzuar për shpërfilljen e rregullave demokratike, kufizimin e lirisë së shtypit dhe pavarësisë së gjyqtarëve”.
“Mjetet mbrojtëse ekzistuese, nga procedurat e shkeljes dhe mbajtja e fondeve të BE-së deri te pezullimi i të drejtave të tilla si vota, duhet të jenë shumë më konsistente se më parë,” thuhet në një draft të marrëveshjes programore të partnerëve të mundshëm, raporton revista.
Ai gjithashtu vë në dukje se qeveria e ardhshme gjermane “dëshiron të kërkojë zgjerimin e votimit të shumicës së cilësuar në Këshillin e BE-së, veçanërisht për disa çështje të politikës së jashtme dhe politikës së sigurisë, si vendosja e sanksioneve”. Kjo, sqarohet, do të lejonte marrjen e vendimeve përkatëse pa pëlqimin e Hungarisë.
Top Channel