“Votoni PS-në sot, sikurse votuat masivisht PD-në në 1992”/ Rama: Vendime për të mbyllur kapitullin e një historie të dhimbshme

30/03/2025 22:45

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, në takimin me shqiptarët në Athinë, u kërkoi votën në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ai premtoi futjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda mandatit të katërt qeverisës, nëse fiton zgjedhjet.

“Nuk ke nevojë të ndryshosh atë që je dhe që e ke në pasaportën tënde, shqiptar. Sepse me këtë pasaportë, që unë, yt atë, të bëra të mundur të bashkohesh me Edi Ramën dhe Partinë socialiste në 12 majin e 2025, ti ke mundësinë që të qëndrosh këtu, të shkosh në çdo vend të Europës dhe të respektohesh si i barabartë me çdo europian.

Kur u detyruam të bënim shumë gjëra për të mbijetuar, kur u detyruam ta ulnim kurrizin në tokë për ta fituar betejën. Kemi bërë gjëra që ti, biri ose bija jonë, të shkoje në shkollë. Tani jemi shumë të lehtësuar, sepse ju duhet ta respektoni atë kryqin e bardhë në flamurin e Greqisë, sepse është vendi që ju ka respektuar, por nuk keni nevojë që atë shqiponjën në flamurin e kuq, ta harroni ose ta ndërroni, sepse ju jeni shqiponja dhe do të jeni gjithnjë shqiponja. Dhe me pasaportën europiane të shqiptarëve, ju do të uleni në çdo tryezë të Europës, përgjithmonë si shqiponja. Dhe ashtu sikundër, në të gjitha tryezat që mblidhet Europa, përfaqësuesit e shteteve janë sipër dhe përkthyesit janë poshtë, ashtu do të jenë dhe ata të shqipes, kur të gjithë do të vënë kufjet se çfarë thotë shqiptari. Ky është momenti, sepse sot për herë të parë që kur kemi nisur këtë rrugëtim, për herë të parë BE nuk është vetëm në pozitën që thotë: ‘Një ditë do jemi bashkë’, por sot thotë: ‘Brenda 2027 jemi gati ta mbyllim kapitullin me ju dhe brenda një dekade të jemi bashkë’. Kjo ka ardhur në radhë të parë si këmbëngulja jonë, që jemi ulur në krye të herës që të na shihnin në rastin më të mirë me keqardhje, në rastin më të shumtë me bezdi dhe në rastin më të keq me përçmim, tani na shohin me respekt. Nuk jemi vetëm ne që dua të hyjmë në BE një orë e më parë, por është dhe BE që ka hapur derën për të na futur ne në BE“.

Rama kujtoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1992, kur shqiptarët votuan masivisht Partinë Demokratike, duke hapur kapitull të ri për vendin, që sapo kishte rrëzuar sistemin diktatorial dhe kishte hyrë në periudhën e pluralizmit demokratik. “Ishte një takim me historinë, për të mbyllur kapitullin e një historie të dhimbshme”, tha kryesocialisti, që situatën e paralelizoi me aktualitetin, ku vendi ynë është drejt një kapitulli të ri: integrimin në Bashkimin Europian.

“Por janë dy gabime që shqiptarët nuk duhet të bëjnë. Një, nuk duhet të mendojnë që kjo derë e hapur do të qëndrojë e hapur përgjithmonë. Në të kaluarën, e ka hapur derën, ka marrë ndonjë brenda dhe e ka mbyllur, sepse ata janë të mëdhenjtë e këtij kontinenti dhe ata vendosin. Kështu që kjo mundësi duhet të na gjejë në këmbë ditë-natë për punën tonë. Gabimi i dytë që nuk duhet të bëjnë shqiptarët, në kushtet që fati ynë europian, është përputhur me fatin e Europës, është të mendojë se këtë mund ta bëjë çdokush, siç s’mund ta bënte çdokush. Atë që bëri Partia Demokratike në ’91-’92. Shumë nga ata që e votuan PD, nuk ishin mbështetës, as simpatizant, por vajtën e mbështetën fuqimisht, për një arsye që ishte shumë më e madhe se për arsyet e një palë zgjedhjeve. Vajtën mbështetën PD masivisht sepse ishte një takim me historinë, për të mbyllur kapitullin e një historie të dhimbshme”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta