
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar të shtunën vonë “reagim të fuqishëm” nga partnerët perëndimorë, pasi Rusia i ka shpeshtuar sulmet vdekjeprurëse, përfshirë sulmet ajrore në një spital ushtarak në Harkiv dhe në qytetet Dnipro dhe Krivi Rih.
“Partnerët tanë duhet ta kuptojnë qartë: Këto sulme nuk janë vetëm sulme ndaj civilëve ukrainas, por edhe ndaj të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare – ndaj vetë diplomacisë që po përpiqemi të përdorim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përnatshëm me video.
“Rusia po godet pozicionet e të gjithë atyre që duan ta përfundojnë këtë luftë. Është e pamundur të injorohen qindra dronë Shahed çdo natë”, shtoi ai, duke iu referuar dronëve të prodhuar nga Irani.
“Ne presim një përgjigje – një përgjigje serioze. Po punojmë për një përgjigje. Nevojitet urgjentisht një përgjigje e fortë – mbi të gjitha nga SHBA-ja, nga Evropa, nga të gjithë në botë që kanë vënë bast mbi diplomacinë. Rusia duhet të detyrohet ta pranojë paqen – vetëm trysnia do të kryejë punë”, shtoi ai.
Zelensky nënvizoi se propozimi amerikan për një armëpushim pa kushte ka qenë mbi tryezë për kohë të gjatë “pa një përgjigje të duhur nga Rusia”.
“Kjo tregon shumë”, sipas tij. Rusia ka kryer sulme të mëdha vdekjeprurëse në 24 orët e fundit.
Mbrëmë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se “terroristët rusë goditën një spital ushtarak në qytetin e Harkivit” me mjete ajrore pa pilot (UAV).
“Si pasojë e goditjes nga UAV-të e tipit Shahed, ndërtesa e spitalit dhe ndërtesat e banimit aty pranë u dëmtuan. Sipas të dhënave paraprake, ka viktima mes ushtarëve që po trajtoheshin në qendrën mjekësore”, thuhet në komunikatë.
Kryebashkiaku i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se të paktën dy njerëz janë vrarë, por nuk është e qartë në cilën pjesë të qytetit janë vrarë ata.
Më herët, një guvernator rajonal tha se një sulm me dronë rusë në qytetin juglindor të Ukrainës, Dnipro, natën e 28 marsit, vrau katër persona dhe shkaktoi një zjarr të madh në një kompleks hotelesh dhe restorantesh, si dhe në disa shtëpi banimi. Forcat ruse përdorën më shumë se 20 dronë në sulmin ndaj Dnipros, ku u plagosën gjithashtu 25 persona.
Zelensky tha se mes të plagosurve ishte edhe një grua shtatzënë.
Ndërkohë, të paktën shtatë persona u plagosën në një sulm me raketa në Krivi Rih, sipas shërbimit shtetëror të emergjencave të Ukrainës. Në anën tjetër, Rusia pretendoi se i ka pushtuar edhe dy fshatra të tjerë në lindje dhe jug të Ukrainës.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj kanë marrë nën kontroll fshatra në rajonin jugor të Zaporizhjas dhe në rajonin lindor të Donjeckut. Pretendimet e Rusisë nuk ka qenë e mundur të verifikoheshin menjëherë./REL
Top Channel