
Si rezultat i kontrolleve në kuadër të operacionit “Mix” janë goditur dy raste të armëmbajtjes pa leje dhe të përshtatjes së lokalit për përdorim e shitje të drogës.
Shpallet në kërkim pronari i lokalit, Gentian Cenaj, që kishte përshtatur lokalin për shitje e përdorim droge dhe në lokal mbante armë zjarri pa leje. Arrestohet gjatë operacionit “Mix” punonjësi i lokalit, Ledjon Tosku, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari të kundraligjshme.
Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me municion luftarak dhe 4 armë të ftohta që u gjetën në lokal të cilat pronari i lokalit i mbante pa leje.
Njoftimi:
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative dhe në vijim të kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve, në kuadër të operacionit policor “Mix” arrestuan shtetasin L. T., 18 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin G. C., 26 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga kontrolli i lokalit, shërbimet e Policisë gjetën e sekuestruan një armë zjarri pistoletë, municion luftarak, 3 krehër pistolete, 4 armë të ftohta dhe prova të tjera materiale.
Vijon puna për kapjen e pronarit të lokalit dhe dokumentimin e plotë ligjor i kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel