
Një lokal sezonal, i quajtur “Bar Delfini” në bregdetin e Darëzezës, Fier, është përfshirë nga flakët rreth orës 17:30 të ditës së sotme.
Zjarri është vënë re fillimisht nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse.
Megjithatë, për shkak se lokali ishte i ndërtuar me dru dhe materiale lehtësisht të djegshme, ai është shkrumbuar plotësisht brenda pak minutash, pavarësisht përpjekjeve të banorëve për të shuar flakët me mjete rrethanore.
Lokali, në pronësi të shtetasit A.B., funksiononte prej pesë vitesh gjatë sezonit veror. Dëmi i përllogaritur arrin në rreth 30 milionë lekë të vjetra, ndërsa janë djegur të gjitha pajisjet e brendshme, 120 shezlongë dhe 60 çadra.
Paraprakisht, dyshohet se zjarri ka qenë aksidental, pasi, sipas dëshmitarëve, pranë lokalit kanë qëndruar vizitorë që kanë konsumuar birra dhe cigare.
Lokali ka qenë i mbyllur që prej përfundimit të sezonit turistik dhe nuk ka pasur furnizim me energji elektrike. Grupi hetimore po kryen verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Top Channel