
Presidenti serb Aleksandar Vuçic njoftoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shtyrë edhe për 30 ditë sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë.
Njoftimin entuziast, Vucici e bëri përmes Instagramit.
“Ia dolëm! Sanksionet ndaj NIS-it u shtynë edhe për 30 ditë. Faleminderit të gjithë njerëzve në Serbi që luftuan për këtë cështje dhe faleminderit partnerëve amerikanë për mirëkuptimin e tyre.
E ruajtëm stabilitetin, ne po e kthejmë Serbinë në rrugën e suksesit”, ka shkruar ai.
Goditjen e parë, industria serbe e naftës u supozua ta merrte në muajin janar, pasi Departamenti Amerikan i Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) njoftoi sanksionimin e NIS-it për shkak të aksioneve të mëdha që ka aty Rusia.
fillimisht sanksionet u shtynë për 30 ditë në fund të shkurtit, e ndërsa dita e sotme shënonte skadimin e këtij afati, amerikanët kanë vendosur edhe për një shtyrje tjetër njëmujore. Pjesa më e madhe e naftës së papërpunuar vjen në Serbi nëpërmjet një tubacioni të operuar nga JANAF i Kroacisë, i cili, sipas rregullave të SHBA-së, do të duhet të përfundojë bashkëpunimin me NIS-in për të shmangur sanksionet.
Arsyetimi i dhënë nga SHBA-ja për vendosjen e NIS-it në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, ishte t`i ndalohej Rusisë mundësia që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Top Channel