
Dronët rusë kanë goditur objektiva të shumta në Kharkiv, qyteti i dytë më i populluar i Ukrainës, duke vrarë një person dhe duke plagosur të paktën nëntë.
Oleh Sinekhubov, guvernatori i rajonit të Kharkiv, tha se një person u vra dhe 10 u plagosën. Kryebashkiaku Ihor Terekhov tha se gjashtë objektiva në qytet ishin goditur dhe nëntë persona u plagosën, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë.
Në të njëjtën kohë, në një postim, Volodymyr Zelensky iu referua përshkallëzimit të sulmeve ruse mbrëmë.
“Vetëm mbrëmë, Rusia lëshoi 172 drone sulmuese, më shumë se 100 prej tyre ishin Shahed. Sulme të tilla masive janë bërë një fenomen pothuajse i përditshëm”, tha ai. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi për kërcënimin e vazhdueshëm të raketave, përfshirë ato balistike.
Presidenti ukrainas u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të kuptojnë se sulmet ruse nuk po dëmtojnë vetëm civilët ukrainas, por edhe çdo përpjekje ndërkombëtare për një zgjidhje paqësore të luftës.
“Partnerët tanë duhet të kuptojnë qartë: këto sulme nuk janë vetëm kundër qytetarëve ukrainas. Ato janë sulme kundër çdo përpjekjeje ndërkombëtare, kundër vetë diplomacisë që ne po përpiqemi të përdorim për t’i dhënë fund kësaj lufte”, theksoi ai, duke shtuar se “Rusia po godet pozicionet e të gjithë atyre që duan që kjo luftë të përfundojë”.
Zelensky e bëri të qartë se indiferenca ndaj tufave të përditshme të Shahed nuk mund të vazhdojë: “Është e pamundur të injorosh qindra Shahedë çdo natë. Ne presim një përgjigje. Ne po punojmë për të. Një përgjigje e fortë është e nevojshme – nga SHBA, Evropa, nga çdo fuqi në botë që ka investuar në diplomaci.”
Sipas tij, paqja nuk do të vijë pa presion: “Rusia duhet të detyrohet në paqe – vetëm presioni sjell rezultate”.
Presidenti ukrainas ngriti edhe çështjen e propozimit të SHBA-së për një armëpushim të pakushtëzuar, i cili, thotë ai, ka qenë në tryezë për një kohë të gjatë, pa asnjë përgjigje thelbësore nga Moska.
“Kjo thotë shumë. Mund të kishte pasur një armëpushim tashmë – nëse do të kishte presion të vërtetë mbi Rusinë”, vuri në dukje ai.
Zelensky e mbylli mesazhin e tij duke falënderuar partnerët që e njohin nevojën për veprim dhe promovimin e vendimeve, si vendosja e sanksioneve të reja.
Top Channel