
Ideja që Italisë herët a vonë do t`i duhet të zgjedhë mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Giorgia Melonit i duket “fëminore” dhe “sipërfaqësore”.
Kryeministrja italiane i bëri këto komente në një interviste për Financial Times, ku nënvizonte se reagimet e disa liderëve europianë ndaj Donald Trumpit janë tepër politike dhe se është “në interesin e të gjithëve” të kapërcehen tensionet serioze në marrëdhëniet transatlantike. “Ndonjëherë kam përshtypjen se ne thjesht përgjigjemi instinktivisht.
Në këto çështje duhet menduar me kujdes e me qetësi”, shprehet ajo. Meloni konsideron se BE-ja është shumë e ngadaltë në proceset e vendimmarrjes. Dhe në kontekstin e marrëdhënieve me SHBA-në e Trumpin nënvizon se “nuk është e lehtë të konkurrosh me dikë që mund të nënshkruajë 100 urdhra ekzekutivë në një ditë”.
Shefja e ekzekutivit italian insiston se vendi i saj mund të ketë marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara, e mes rreshtave, nënkupton se Roma mund të veshë edhe petkun e ndërmjetësuesit.
Top Channel