
Pas tragjedisë me 59 viktima në diskotekën “Pulse” në Koçan të Maqedonisë së Veriut, autoritetet njoftuan për situatën e të plagosurve, që gjenden në spitalet e vendit fqinj, por edhe në shtete të tjera europiane.
Në kryeqytetin Shkup po kurohen 22 pacientë, 8 prej të cilëve gjatë së premtes lënë spitalin për tu rehabilituar në shtëpi. 14 të tjerët do të vijojnë të kurohen në spitale.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari tha se jashtë shtetit janë duke marrë kujdes mjekësor 91 pacientë, teksa 9 prej tyre në Hungari, Itali, Greqi, Serbi dhe Suedia, kthehen në Maqedoninë e Veriut. Qeveria në Shkup është duke mbuluar të gjitha shpenzimet e personave të plagosur nga zjarri në Koçan, përfshi dhe ato të familjarëve të pacientëve që kurohen jashtë vendit.
Këtë e rikonfirmoi edhe vetë ministri teksa komentoi veprimin e një prindi, i cili tha se kishte nxjerrë në shitje makinën për të siguruar paratë për kurimin e djalit që u plagos gjatë zjarrit në diskotekën e Koçanit. Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut ndërkohë njoftoi se deri të premten janë mbledhur donacione në rreth 1 milion e 660 mijë euro për familjet e viktimave dhe të plagosurit që po trajtohen jashtë vendit.
Nga hetimet e deritanishme për zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën e Koçanit, përgjegjës për të cilin dyshohen disa persona që janë ndaluar nga policia, rezulton se diskoteka nuk kishte rrjet hidrantësh dhe mjaftueshëm aparate, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit muzikor.
Top Channel