Reagimin e ashpër të Serbisë ndaj lajmit se Kenia njohu pavarësinë e Kosovës, Prishtina zyrtare nuk e la pa përgjigje.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës e akuzoi Beogradin se në të vërtetë, ai nuk ka “asnjë interes” që të normalizojë raportet me Kosovën, dhe këtë, e dëshmoi fare qartë me reagimin e tij.

“Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të  ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian”, thuhet në deklaratën e lëshuar prej kësaj ministrie.

Kenia e njohu një ditë më parë pavarësinë e Kosovës dhe Serbia reagoi menjëherë duke thënë se një vendim i tillë përbën “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe cenim të drejtpërdrejtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën garantohet në mënyrë të qartë sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Serbisë”.

MPJD e cilësoi këtë deklaratë si kërcënim “të drejtpërdrejtë dhe alarmues” kundër Kosovës. “Duke pohuar se do ta mbrojë ‘me vendosmëri më të madhe’ sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion”, theksohej në deklaratë, ku kërkohej gjithashtu nga bashkësia ndërkombëtare që t’i marrë seriozisht “këto kërcënime”.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta