
Në orët e vona të së martës pas të shtënave me armë zjarri në Prishtinë një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. Policia ka njoftuar se dy persona janë të dyshuar dhe vazhdojnë të jenë në arrati.
Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se dy persona të maskuar kanë shtënë në drejtim të viktimave.
“Raportohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë dhe si pasojë njëri nga viktimat ka ndërruar jetë në QKUK, ndërsa viktima tjetër gjendet në tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Mbrëmjen e kaluar nga Qendra Klinike Universitare kanë njoftuar se i plagosuri është në gjendje stabile.
“Rreth orës 22:35 ka ardhur personi i parë i plagosur, ka qenë thuajse pa shenja jete. Është bërë reanimi i tij, për gjysmë ore, ka ndërru jetë. Pas 15 minutave ka ardhur i plagosuri tjetër që ka tri plagë por është në gjendje stabile. Personi që vdiq është rreth të 60-ave”, ka thënë mjeku kujdestar, Agron Çitaku.
Në tre ditë në Kosovë katër persona humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri, raporton korrespondentja e Top Channel Leonita Bajrami.
Top Channel