
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, u ndal këtë pasdite në Lezhë, ku bashkë me drejtuesin politik të këtij qarku, Ulsi Manjën, kanë prezantuar kandidatët për zgjedhjet e 11 majit.
Gjatë fjalës së mbajtur, Manja bëri parashikimin për mandatin e pestë të fituar nga PS dhe me Edi Ramën si kryeministër.
“Jo për mandatin e katërt, por po ta shohësh dhe në fletën e votimit kemi numrin 5, pra në këto zgjedhje do shkojmë të ulim Shqipërinë në BE dhe pastaj Edi Ramën në mandatin e 5, që jo vetëm na bën krenar sot në arenën ndërkombëtare, por nesër kur të ulemi në tavolinën e BE, Edi Rama do jetë krenaria kombëtare. Na shkoftë mbarë kryeministër dhe të ftoj t’u flasësh të rinjve dhe të rejave të Lezhës dhe mos harroni numrin 5, në fletën e votimit, Edi Rama kryeministër, mandati i katërt i PS”, tha Manja.
E fill pas këtij komenti ka reaguar vetë Rama.
“E para dua ta bëj të qartë se kjo e fundit ishte tërësisht e Ulsiut, e mandatit të pestë, jo se PS nuk do marrë mandatin e pestë, por për pjesën time flas vetë unë, nuk flet Ulsiu, se ky edhe ministër drejtësia, edhe prokuror, nga Dibra po dhe do thonë njerëzit që duhet të dijë ndonjë gjë ky, por jo nuk di gjë”, replikoi Rama.
Top Channel