
Persona të armatosur në një motoçikletë qëlluan tetë të shtëna në fasadën e konsullatës së Irakut në Stamboll, tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme turke.
“Sonte njerëzit që lëviznin me motoçikletë hapën zjarr ndaj konsullatës së përgjithshme të Irakut. Nuk ka viktima apo dëme materiale”, tha Oncu Keçeli.
Zëdhënësi shtoi se po hetohet nga shërbimet e sigurisë dhe po vijon procesi i identifikimit të autorëve. Ai premtoi gjithashtu se “përgjegjësit do të sillen para drejtësisë”.
Incidente të mëhershme shpërthyen sonte në Stamboll dhe Izmir, mes demonstruesve dhe policisë, gjatë demonstratave të organizuara nga opozita, në mbështetje të kryebashkiakut, Ekrem Imamoglu.
Lideri i partisë kryesore opozitare tha se 300,000 protestues kishin dalë në rrugët e Stambollit për të mbështetur kryebashkiakun e qytetit.
“Ne jemi këtu me 300,000 njerëz”, tha kreu i Partisë Popullore Republikane Ozgur Ozel përpara Bashkisë së Stambollit, ku protestuesit u mblodhën me thirrjen e CHP.
Në Stamboll, policia përdori plumba gome. Në Izmir, qyteti i tretë më i madh i Turqisë, policia përdori ujë me presion për të shpërndarë turmën, sipas kanaleve televizive lokale.
Kryebashkiaku i Stambollit do të paraqitet nesër në mëngjes te prokurori dhe gjyqtari, për të vendosur nëse do t’i zgjatet ose jo masa e paraburgimit.
Në të njëjtën kohë, situata në Turqinë fqinje mbetet kaotike. Për të tretën ditë, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugë për të protestuar në favor të Ekrem Imamoglu, duke rezultuar në incidente të reja ku policia përdori plumba kimikë dhe plastikë për të shpërndarë turmën.
Erdogan në deklaratat e reja dërgoi një mesazh të qartë se Turqia nuk do të tolerojë asnjë kërcënim ndaj rendit publik dhe se qeveria e tij do të qëndrojë kundër vandalizmit dhe terrorizmit në rrugë.
Top Channel