
Pas kërkesës së prokurorisë që po heton aksidentin e katërfishtë të Fushë-Prezës, gjykata ka vendosur të mbajë këtë të shtunë seancë për Aleksandër Krrashin, që është shoferi i betonieres në të cilën u përplas tragjikisht mjeti ku udhëtonin katër të rinj.
Masa e sigurisë siç raporton Anila Hoxha u zhvillua në orën 11 në dhomën penale dhe prokuroria në kërkesën e saj ka kërkuar arrest në burg.
Në përfundim të seancës, Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka lënë në burg shoferin.
Seanca u drejtua nga gjyqtari Edvan Vecani. Ndaj 24-vjeçarit, prokuroria ka ngritur veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Sipas materialit të referuar nga policia rrugore, shoferi nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin. Po ashtu prokurori i çështjes ka deklaruar se betonieria nuk kishte dokumentacionet përkatëse.
Nga aksidenti humbën jetën Enejdi Laçi dhe tre pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Top Channel