“Yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë”, Rama për integrimin: Për herë të parë edhe BE e do Shqipërinë!

21/03/2025 18:41

Kryeministri Edi Rama theksoi edhe njëherë se Shqipëria është shumë pranë integrimit drejt BE-së dhe për këtë tha se i duhet mbështetja më 11 maj.

Nga takimi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në Tiranë, Rama tha se “yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë”.

“Dua të përqendrohem përsëri dhe do lodheni duke më dëgjuar ta përsëris, çdo ditë këtë që do ju them. Në këto zgjedhje ka diçka që është përtej punëve tona të përditshme. Përtej çdo nevoje të çdo komuniteti në jetën e përditshme. Përtej gjeneratës time dhe ka diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjeshtë me partinë tonë, padiskutim me asnjë parti tjetër, por me fatin europian të Shqipërisë.

Rrethanat kanë dashur që ne të kemi një palë zgjedhje politike në 11 maj, ndërkohë që ne po negociojmë anëtarësimin në BE. Dhe për herë të parë qëkur ne kemi filluar ta ëndërrojmë ditën kur do jemi të barabartë me shtetet e BE-së, ne kemi një mundësi reale që të jemi anëtarë të BE-së. Por ajo që dua që ju të kuptoni, është që ne mund të mos e kemi pas disa kohësh këtë mundësi.

Pavarësisht se Komisioni Europian ka konfirmuar se tre herë rresht Shqipëria ka bërë detyrat e veta dhe i ka kërkuar shteteve anëtare që Shqipëria të jetë pjesë, ka dalë një vend që ka thënë jo. Ne kemi dashur, ata jo. Dhe ajo që kanë përsëritur në vazhdimësi ka qenë që e ardhmja jonë është te ata. Por unë që jam dëshmitari i këtij procesi, kurrë më parë nuk e kam parë atë që shoh sot dhe nuk e kam dëgjuar atë që dëgjoj sot, nuk e kemi prekur atë që prekim sot, dëshirën e tyre që kjo të ndodhë. Dëshirën e tyre që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian. Dhe natyrisht kjo nuk ka ardhur ngaqë ne kemi bërë ndonjë mrekulli, ne kemi bërë detyrat tona. Sa herë na thonin jo, unë i thoja që do vazhdojmë punën.

Duhet që dhe ata të duan. Dhe ata sot duan të zgjerojnë BE-në. Atyre sot i duhet patjetër për t’i dhënë një mesazh botës që BE-ja po zgjerohet dhe për ta bërë këtë ka vetëm dy vende që mund të anëtarësohen shpejt në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi. Bota është në një situatë tjetër. Sepse ekuilibrat janë lëkundur dhe ka një moment të rikompozimit të gjërave. Pikërisht për këtë arsye, yjet e fatit tonë dhe yjet e Europës janë bërë bashkë. Për herë të parë, ne dhe ata duam të njëjtën gjë dhe e duam tani, duam që Shqipëria të hyjë në BE. Kini parasysh që është hapur një derë që nuk do rri hapur gjithmonë. Ka ndodhur në të shkuarën dhe mund të ndodhë përsëri. Çfarë na takon ne të bëjmë? Ne na takon të bëjmë gjithçka”-u shpreh Rama.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta