“Tradhtar, mosmirënjohës, harram”/ Rama kujton si u prit në PS në 2003: Nuk më linin të futesha në konferencën e degës, biseda me Ruçin

21/03/2025 11:34

Prej disa ditësh, pas takimeve me elektoratin, por edhe inspektimit të kantiereve të ndërtimit, kryeministri i mbyll postimet në “Facebook”, me një live në zona të ndryshme të Tiranës ku janë edhe shtabet e PS-së për zgjedhjet e 11 majit.

Mbrëmjen e të enjtes, kreu i socialistëve ishte në njësinë nr 2, ku gjendeshin edhe Ogerta Manastirliu, Arben Pëllumbi dhe Olta Xhaçka.

Teksa njëri prej anëtarëve të shtabit u prezantua nga Manastirliu si kandidat i platformës “deputeti që duam”, por që nuk arriti të bëhej zyrtarisht kandidat për deputet, Rama kujtoi kohën kur ai vetë në 2003 pasi kishte fituar zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës, socialistët nuk pranonin ta regjistronin si kandidat për kryetar të PS-së.

Rama: Unë jam shembulli, në betejën e parë për partinë më lanë rrugëve. Ju kujtohet? Unë sa isha futur te njesia 2, te ai…si e kishte emrin ai kryetari i organizatës. Merr Musa Ulqinin pyete. Unë vajta te organizata, mora Musain.

Manastirliu: Do ta marr Musain

Rama: Merre. I thashë Musait, a ka partia juaj zyra organizate? Po, tha, ka.

Manastirliu telefonon Musa Ulqinin.

Manastirliu: Musa, po të nxjerr pak live se jemi me shtabin organizativ në njësinë 2 dhe kemi edhe kryeministrin.

Ulqini: Vetëm një sekondë.

Manastirliu: Pse ku je kështu? Nuk do të nxjerr me figurë, do të nxjerr vetëm me zë.

Rama: Nuk i flet partisë Musai pa u krehur. Musa si e kishte emrin kryetari i organizatës në njësinë dy kur më çove ti?

Ulqini: Ai është akoma aktiv në PS. Nuk ia kujtoj emrin tani.

Rama: I them Musait nesër do anëtarësohem në PS. Po leje, tha, për çfarë më ke marrë, kjo është shaka. Unë sa kisha fituar zgjedhjet e 2003. Më tha Musaj, jo nuk e bën ti këtë. Nesër i thashë, por më thuaj si do hapet dera të regjistrohem. Më tha hajde te selia. Jo i thashë, dua te baza. Shkoj aty, të gjithë me qejf, më morën më regjistruan. Nuk e dinin këta të shkretët çfarë po iu vinte. Këta e kishin vjen një herë, pas tre vjetësh të shohin, rritesh. Dal te dera unë dhe u them: shpall sot kandidaturën për kryetar të PS-së. Pas një muaj ishte kongresi. O nëne, o nëne. Gjithë ajo kërkesa ‘hajde këtu, shko mbështet atë, këtë’, evaporuan të tërë dhe u bë një vakum rreth e rrotull. Musai e mbante veten por me një fasoletë fshinte mollëzat. Shkoj unë te Konferenca në Ballsh, ku kishte atje të shkoje në konferencë? Më thanë ‘nuk futesh dot, ti je një anëtar i zakonshëm i partisë, ke kohë, nuk mund të kandidosh’. Më thoshin nuk figuron. Do mblidhej kryesia e konferencës dhe do marrë një vendim, më tha një i madh atje në Fier. U mblodh Kryesia, brenda ishte Arta Dade e cila ishte ngrysur nga rreziku që po i afrohej partisë. Më vonë më ka mbështetur. Del ai me një cope letër dhe ma jep “konferenca vendosi që ju nuk mund të hyni”. Nuk më linin të hyja. Në fund fare më lanë të hyja, por më tha Gramozi “do hysh, por mos mendo se po të presin ty”. Ata thirrën “tradhtar, tradhtar, mosmirënjohës, harram”. Thashë çfarë ndodh? Në fund te kongresi nuk kisha firmat, duheshin 40 firma në Kongres për t’u futur për të kandiduar dhe nuk ta jepte njeri firmën. Unë te shkallët e kongresit, këta kalonin, ca më salutonin, ca më thoshin ‘hë mo bëre gjë për firmat’? “Jo mo po pres”. Derisa në fund mi dhanë firmat pam pam pam. Mora 6%, 40 e ca vota të fshehta. Dy vjet ishte black out. Pastaj gjërat rrodhën.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta