
Kryeministri Edi Rama ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me drejtësinë, ku thekson se socialistët duhet të jenë krenarë për krijimin e Reformës në Drejtësi.
Ai shprehet se nuk duhet të jenë kokulur që emra që kanë qenë pjesë e PS ndodhen para institucioneve të drejtësisë, sepse pa qeverinë s’do të “ishte hapur ky kapak”.
“Ne duhet të jemi krenarë, jo kokulur, për faktin, që përtej dhimbjes personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh, ndërsa sot është në duart e drejtësisë. Por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak”, tha Rama.
Rama: Faleminderit Ani, faleminderit dhe juve që jeni këtu në këtë orë të mirë të ditës dhe me diellin e nevojshëm pa shumë erë dhe me një temperaturë optimale për të zhvilluar këtë bisedë në vazhdën e takimeve me skuadrat e deputetëve. Një bisedë që unë e konsideroj shumë të rëndësishme për të vendosur disa pika kyçe të qasjes sonë në këtë fushatë dhe të fokusit tonë për këto zgjedhje.
Pa diskutim që gjithë problematikat dhe gjithë nevojat dhe kërkesat e komuniteteve janë tejet të rëndësishme, pa diskutim që e gjithë nevoja, ambicia juaj që jeni përfshirë në këtë skuadër është e lidhur me domosdoshmërinë për t’i adresuar ato nevoja dhe ato kërkesa në radhë të parë. Patjetër që nga ana tjetër është shumë e rëndësishme të gjitha ato kemi arritur të bëjmë së bashku me Anin, me Turin, me Tonin në të treja bashkitë, ku janë bërë punë në këndvështrimin tim të mëdha transformuese dhe patjetër janë shumë të rëndësishme dhe ato që do bëjmë në vijim, por përtej të gjitha këtyre, zgjedhjet e 11 majit kanë një komponent që zgjedhjet e tjera në të kaluarën sado të rëndësishme kanë qenë për PS dhe për ecurinë e vendit nuk e kanë pasur.
Zgjedhjet e 11 majit kanë një komponent gjeopolitik, që besoj unë në Shqipëri zgjedhjet e kanë pasur vetëm në fillimet e transformimit demokratik në ’91-’92, kur shqiptarët morën një vendim thuajse unanim për të ndryshuar rrugën dhe për të vulosur përfundimisht ndarjen me një kohë dhe me një sistem tjetër, duke përqafuar një sistem krejt të ri vlerash dhe duke u vendosur në një raport krejt të ri me botën dhe me Europën posaçërisht. Me këto zgjedhje pak a shumë edhe pse jo me atë përmasë dramatike, por pak a shumë mund të thuhet se vendimmarrja e popullit shqiptar do të ketë një ndikim të rëndësishme në fatin europian të Shqipërisë. Sepse këto zgjedhje përkojnë me një moment jashtëzakonisht historik kur ne jemi përpara një mundësie reale dhe aktuale për t’u bërë pjesë e BE. Natyrisht që, gjithmonë ne kemi pasur dëshirën tonë të jashtëzakonshme për t’u bërë pjesë e BE dhe në këtë pikë fatmirësisht të gjitha forcat politike janë të të njëjtës mendje.
Ajo që ka ndodhur dhe ju e dini duhet shpjeguar mirë me gjithë njerëzit është që është përputhur, janë përputhur yjet tona dhe yjet e tyre janë përputhur bashkë. Ato duan me çdo kusht që të zgjerojnë BE dhe mundësia për të bërë një hap të ri zgjerimi është të përfshihet në BE Shqipëria dhe Mali i Zi. Kjo për arsye gjeopolitike patjetër por në kushtet e stome për ne, futja në BE bëhet edhe një çështje pa ekzagjerim ekzistenciale e sigurisë dhe e mbrojtjes së Shqipërisë ndërkohë që raportet e tjera siç e shikoni po lëvizin dhe po ndryshojnë mes vendeve të tjera. Tani ka shumë njerëz që thonë se ky është muhabet kot, se ju doni të merrni mandatin tjetër edhe krijoni këto lloj alibish po ndërkohë nëse do ishit të zotët, do e kishit futur Shqipërinë në BE se keni pasur 12 vjet kohë. Dhe ju duhet thënë që Mali i Zi i ka hapur negociatat në 2012. Ne i kemi hapur negociatat dhe jemi ulur zyrtarisht në tryezë për të filluar bisedimet konkrete vetëm vjet, pasi bëmë 1 vit procesin e Screening, të diagnostikimit të të gjithë organizmit të shtetit shqiptar për të gjitha problematikat. Kemi filluar vetëm vjet. Mali i Zi ka filluar në 2012 negociatat dhe sot ne jemi krah për krah me Malin e Zi, dy vendet që ata i shohin më të mundur për t’u futur në BE.
Serbia i ka filluar negociatat në 2014 dhe sot Serbia është prapa nesh. Kur ne kemi marrë detyrën ishim vrima e fundit e kavallit, as nuk na llogariste njeri se mund të ishim afër një momenti si ky. Maqedonia është bërë kandidate për të hyrë në BE në 2005 dhe akoma nuk i ka hapur negociatat. Pra këto të dhëna janë për të treguar njerëzve që kjo nuk është çështje muhabeti, kafeneje që mund të trajtohet si një nga ato muhabete ordinere që jo ky jo ai, jo këta e jo ata, jo..
Kjo është një çështje shumë, shumë komplekse dhe ne jemi shumë krenarë dhe unë jam jashtëzakonisht krenar që sot ne jo vetëm që jemi në pararojë, BE ka një terminologji për këtë, “front runners”, pra vende në pararojë. Ata që vrapojnë më përpara. Ne jo vetëm jemi një nga dy vendet pararojë të zgjerimit të ardhshëm të BE, por na është pranuar dhe kemi dakordësuar me Komisionin Evropian që të gjitha negociatat t’i mbyllim brenda 2027 , që do të jetë një rekord shumë, shumë i hatashëm i gjithë procesit të integrimit dhe e përsëris që të mos kemi asnjë keqkuptim jo thjesht për meritën tonë, merita jonë është thjesht që jemi gjendur në vendin e duhur, në kohën e duhur të përgatitur. Dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, mbase ju kujtohem, me siguri Klodit dhe Milvës i kujtohet, ne duhet të jemi gjithmonë të përgatitur kur të vijë momenti që ata të jenë të disponueshëm. Përsa kohë ata nuk do të jenë të disponueshëm, ne duhet të bëjmë punën tonë sepse në fund të ditës këtu nuk është çështja që ne do ta marrim Shqipërinë e do ta çojmë në Bruksel. Këtu është çështja që të gjitha këto reforma do të ndihmojnë që të ndërtohet shteti këtu se në fund të fundit, procesi i integrimit është një proces shtet- ndërtimi dhe për këtë arsye, pra për arsyen se ata tani janë gati që ta hedhin këtë hap, është krijuar kjo mundësi. Mund të kishte ndodhur, se i bie 3 vjet, nga vjet deri në 2027 i bie 3 vjet. Mund të kishte ndodhur që e gjithë kjo të zhvillohej brenda një mandati dhe mos kishte zgjedhje në mes edhe do të kishte qenë shumë e thjeshtë. Ka qëlluar që janë futur zgjedhjet në mes, 11 maji dhe 11 maji për këtë arsye është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm përtej rëndësisë që ka çdo zgjedhje. Është bërë jashtëzakonisht i rëndësishëm përtej gjithë problemeve që mund të ketë komuniteti këtu dhe përtej gjithë nevojave qe mund të ketë çdo komunitet sepse 11 maji, do të luajë një rol kyç në shpejtësinë me të cilën do të zhvillohen negociatat, por ama shpejtësia nga ana tjetër me të cilën zhvillohen negociatat është shumë e rëndësishme për të mos e humbur këtë mundësi sepse ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë nesër. Siç ndryshoi qasja e BE pozitivisht pas kush e di sa vitesh që ishin gjithmonë të ngurtë, të tërhequr, nuk donin zgjerim etj etj, mund të ndryshojë prapë se ne nuk e dimë si zhvillohen konjukturat e tjera, ça ndodh me impaktin që do ketë pushimi i luftës në Ukrainë, ça ndodh me gjëra të tjera shumë më të mëdha dhe ata, mund të kthehen prapë tek buziness as usual dhe të fillojnë prapë nga e para atë histori që ‘’po mirë, po do ta shohim’’. Në këtë hark kohor dera është e hapur dhe ne duhet të shpejtojmë që të futemi brenda para se të mbyllet prapë. Kjo do të thotë që negociatat të cilat janë një punë shumë intensive, qindra –mijëra, jo qindra dhe mijëra po qindra-mijëra faqe, detyra, punë, ligje që duhen transportuar, duhen miratuar nga parlamenti, vendime qeverie, rregulla, është një punë kolosale me të cilën merren 1000 veta, pak a shumë 1000 vetë tani që ne flasim këtu 1000 vetë nëpër zyra merren me këtë punë afro 40 grupe që janë të ndarë sipas gjithë fushave që mbulon organizimi i shtetit, kërkojnë që asnjë minutë mos humbasë se koha është shumë e shkurtër. 2027 është shumë afër. Këto procese të tjerët i kanë bërë… Kroacia që ka shkëlqyer me procesin e negociatave, ka marrë 7-8 vjet a 9 fare për të hyrë në BE. Ne e kemi 3 vjet, që do të thotë që duhet të bëjmë një punë natë-ditë siç e po e bëjmë në anën e punës me ta. Çdo javë, se kjo është diçka që shpjegon shumë, çdo javë, çdo të hënë dy ministret tona të këtij procesi, ministren e Shtetit, kryenegocatorja dhe zëvëndëskryenegocatorja ulen përballë atyre të BE dhe japin llogari çfarë keni bërë jo vitin e kaluar po ça keni bërë javën e kaluar. Çdo javë. Për këtë, për këtë, për këtë.
Tani nga ana tjetër ne e kemi vendosur fokusin e zgjedhjeve dhe të fushatës këtu sepse është shumë e rëndësishme që të marrin nga populli shqiptar jo thjesht një mbështetje për PS, por një mbështetje për futjen në BE dhe që ata ta lexojnë shumë qartë ça ndodh me zgjedhjet këtu sepse patjetër që ata i ndjekin të gjitha proceset në çdo vend dhe patjetër që e ndjekin dhe procesin politik pavarësisht se ata nuk shprehen asnjëherë për këtë pjesë dhe ata e dinë shumë mirë që çfarë po themi ne e ça thonë të tjerët dhe e dinë shumë mirë se kush dhe si mund ta kryejë këtë proces dhe në momentin që vota e 11 majit thotë shumë qartë dhe shumë fuqishëm që vazhdojmë, nuk kemi asnjë minutë tani që të rrimë e të torollisemi jo ky, jo ai, jo hidhe votën këtej, jo hidhe votën andej, jo fokusojmë votën këtu pavarësisht se jemi a s’jemi me këtë parti. Kjo parti është sot siç ishte PD-ja në 92, është në vendin e duhur në kohën e duhur, forca e vetme që mund ta çojë përpara këtë proces. Pavarësisht se mund të rrish kur e sheh kështu në vetvete mund të ketë një mijë gjëra e të thuash; jo po se shiko se. Kjo parti është në vendin e duhur dhe në kohën e duhur dhe nuk lëviz dot kjo që të futet një tjetër në të gjitha rastet. Ama ka shumë rëndësi a shprehet vullneti i popullit me të gjithë forcën e vet dhe pastaj ne marrim edhe një mandate shumë të fuqishëm politik nga populli për ti thënë atyre shiheni këtu se ca kërkojnë Shqiptarët apo krijohet një lëkundje, një lëkundje në perceptimin e tyre është shumë negative. Plus kësaj një lëkundje na prish të gjithë ritmin e negociatave. Qëllimi jonë dhe urimi dhe shpresa ime është që në 12 maj ne do të bëjmë numërimin e votave, në 13 maj ne do të bëjmë numërimin e votave, ndërkohë që ata që punojnë për negociatat nuk do të kenë asnjë lloj shqetësimi dhe asnjë lloj lëkundje që këtu ka ndodh na i gjë. Thjeshtë do të jetë çështja sa i thellë do të jetë rezultati, jo që kush fitoi.
Tani ka njerëz shumë që thonë ç’na duhet ne BE-ja se ne i kemi të gjitha të mirat? Kjo është një idiotësi shumë e madhe sepse për vetë faktin që ne jemi të vegjël dhe për vetë historinë tonë që na ka treguar dhe na ka mësuar shumë BE-ja për ne është një çështje jetike, sepse vetëm duke u bërë pjesë e BE-së ne si popull do të shpëtojmë nga kurthi i vazhdueshëm i historisë dhe nga hijet që na ndjekin nga mbrapa të historisë tonë që na ndjekin nga mbrapa për të na kthyer mbrapa. Dhe vetëm duke u futur në BE ne do të garantojmë disa gjëra që janë bazike që ne nuk i kemi të garantuara për aq kohë sa mbeten çështje e kush qeveris këtu. Që nga liria individuale që duke futur në BE bëhet e pa kërcënueshme këtu për askënd, tek barazia para ligjit që është gjëja më e rëndësishme dhe gjëja më e parë që ndan një vend realisht demokratik nga një vend pothuajse demokratik dhe që mund të garantohet përfundimisht vetëm duke hyrë në Bashkimin Europian dhe mjafton të shohësh sot se në çfarë situate ndodhet çështja e barazisë para ligjit. Ne jemi për reformën në drejtësi, ne jemi për të mbështetur luftën kundër korrupsionit përmes institucioneve të reja të drejtësisë, pavarësisht gjithë problematikave dhe pavarësisht lajthitjeve herë pas hershme të atyre institucioneve, por ne e kemi të ndarë këtë punë që ia kemi dhënë, se e kam marrë këtu këtë, se e marr gjithmonë këtë, ja ku është zonja e drejtësisë këtu dhe këtë shpatën që denbabaden në histori e ka pas drejtësia, në Shqipëri që nga 1912 e ka pas qeveria. Me atë shpatë qeveritë në Shqipëri, në daç mbretëri, në daç komunizëm, në daç demokrature siç ishte, e ka lënë pushtetin gjyqësor të çarmatosur dhe ne i dorëzuam shpatën drejtësisë. I dorëzuam shpatën duke marrë përsipër dhe të gjitha kostot sepse në momentin që shpata që ishte në duart tona e trashëguar denbabaden, dekadë pas dekade, pavarësisht ndryshimit të sistemeve iku nga duart tona, ne e çarmatosem veten dhe armatosëm një pushtet tjetër i cili me të shpatë e ka për detyrë, e ka jo vetëm për të drejtë, por e ka dhe për detyrë që të godasë kur shef edhe tek ne që ngrenë kokën “tumore” të korrupsionit.
Tani pse BE-ja është shumë e rëndësishme në këtë mes? Çfarë do pala tjetër sot që thotë ne sa do të marrim votën do ta marrim shpatën mbrapsht drejtësisë dhe gjëja e parë që do të bëjmë me atë shpatë do të presim kokën e Altin Dumanit, atëherë asnjëherë shqiptarët nuk do të kenë garancinë që barazia para ligjit është jashtë diskutimeve politike. Në momentin që ne hyjmë në BE nuk ka më fuqi askush këtu që të bëjë lëvizje të tilla, se nuk të lë ajo familje. Prandaj vota në 11 maj për Partinë Socialiste nuk është në fakt votë për Partinë Socialiste. Për Partinë Socialiste patjetër do të votojnë socialistët, do votojnë mbështetësit tanë, simpatizantët tanë, po tek kutia e Partisë Socialiste aty duhet të votojnë edhe të gjithë demokratët dhe të gjithë çfarë janë në mes që duan që barazia para ligjit të mos jetë më në duart e partive për ta vënë në diskutim, po të jetë e padiskutueshme dhe pse tek Partia Socialiste? Sepse ne sot jemi forca që do të fusi Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe praktikisht nuk është se do të na e lenë ne këtë besim se dhe ne, edhe Partia Socialiste nëse Shqipëri nuk është në Bashkimin Europain, ne proces në vite, mund të ndryshojë qasje, mund të çohet dikush tjetër një ditë e të thotë, “po leje më tani se tani s’do rrimë çdo ditë të durojmë se çfarë bën prokuroria, çfarë bën gjykata, bjere shpatën mbrapsht këtu dhe ti japim fund këtij muhabeti”. Ky është thelbi i 11 majit. Po 11 maji ka edhe komponentin e interesit. Interesit personal nuk ka pas ndonjëherë votim në Shqipëri, përveç atyre thashë të 92, nuk ka pas votim tjetër që vota të ketë impakt të drejtpërdrejtë të çdo person direkt.
Në qoftëse këta këtu votojnë për Anin se thonë me votën për Anin do na rregullohet ajo rrugica atje, pra do të përfitojmë diçka tek vota e 11 majit çdo shqiptar që është në Durrës, në çdo qytet të Shqipërisë, në çdo fshat të Shqipërisë, në çdo qytet dhe fshat të botës, voton dhe merr mbrapsht diçka konkrete që është pasaporta e Bashkimit Europian. Ka disa që thonë ç’na duhet ne pasaporta e BE-së? Sepse nuk kuptojnë, ndoshta, dhe nuk janë të informuar se çfarë është pasaporta e BE-së, e cila në fakt, si me magji, sa hap e mbyll sytë, bën kalimin nga një qytetar i dorës së dytë në këtë Europë, në një qytetar i barabartë, menjëherë që nga aeroporti, porti këtu, atje ku shkon atje, që nuk të nuk do na fusim më njeri në radhë të thotë “dil ça je ti shqiptar, po dil ik futu atje ke ai korridori tjetër dhe rri në radhë. Ndërkohë që gjithë të tjerët që janë me ne në avion e në traget avullojnë menjëherë, se kanë një korridor tjetër, nxjerrin në pasaportën e tregojnë kështu dhe as që hap njeri fare, kalojnë, sepse ata janë në një familje. Dhe kufijtë mes tyre janë si kufi mes Tiranës dhe Durrësit…. dhe kufijtë mes tyre janë si kufiri mes Tiranës dhe Durrësit. Ka ndonjë kufi mes Tiranës dhe Durrësit? Patjetër që ka. E shohim ne kur shkojmë në Tiranë nga Durrësi apo kur vijmë në Durrës nga Tirana? Nuk e shohim fare.
Ndërkohë që, për ne është njësoj si të kishte një korridor atje që të futeshin disa njerëz dhe t’u thoshin “Futu atje” dhe të niste historia “Ku po shkon, kush të ka ftuar, sa lekë ke me vete, kur do ikësh” pa hyrë akoma se ne vërtetë lëvizim pa viza, ne kemi të drejtë të lëvizim, por nuk kemi të drejtë të ndalojmë, ne duhet të jemi perpetum mobile se në qoftë se ne ndalojmë duhet të kemi leje qëndrimi. Lejen e qëndrimit nuk ta jep njeri e atëherë duhet të shkosh të kërkosh azil ose të fshihesh, të jetosh si ilegal ose më keq akoma, duke qenë një i ri që ke bërë ……
Zihesh dhe me kriminelë e futesh për rrjete të krimit të organizuar për të mbijetuar, e kështu me radhë. Ndërkohë që, me pasaportën e BE-së kalon, futesh, ndalon ku të duash, kërkon punë në çdo lokal pa kërkuar fare leje qëndrimi sepse ke pasaportën, je me të njëjtat të drejta si francezët në Francë, si spanjollët në Spanjë, si grekët në Greqi njësoj dhe nuk ke nevojë të kesh pasaportën e tyre sepse çdo pasaportë përveç Republikës përkatëse ka sipër Bashkimin Europian që është e përbashkëta.
Larg qoftë ke nevojë për një mjek, po të jesh me pasaportën tonë sot si shkon tek mjeku? Në çfarë forme shkon atje tek mjeku? Ndërkohë që me pasaportën e BE-së shkon tek mjeku dhe trajtohesh dhe rimbursohesh njësoj siç e ka çdokush që është në atë vend.
Nuk e kuptoj dot, për shembull, si mundet të jetë ndryshe përveç se një prind sot, një prind që do votojë këtu në Durrës, që nuk ka lidhje me Partinë Socialiste fare dhe që i ka fëmijët 14 vjeç ose 12 vjeç ose 6, nuk ka rëndësi, por që ka fëmijët që kur mbaron mandati ynë i katërt duhet t’i çojnë në universitet dhe duan t’i çojnë në universitet jashtë shtetit.
Po ta marrin atë votën e tyre dhe të mos ta hedhin kot në kënetë, se po bëj dorën nga këneta, por këneta që po flas unë i merr të keqen kënetës këtu në Durrës sepse me gjithë këto punë që po bëjmë me Anin po transformohet ditë për ditë dhe nuk ka lidhje fare me kënetën që po flas unë po ta hedhë votën në kënetë për tifozllëk kot?
Ndërkohë që, atë votë duhet ta marrë e ta fusë tek kutia e Partisë Socialiste për të marrë pasaportë për fëmijën që ka 14 vjeç që kur të bëhet fëmija 18 vjeç dhe ta çojë në universitet të mos jetë një student i huaj, jo kuota, jo tarifa shumë më e shtrenjtë, por të jetë një student i BE-së që shkon ku të dojë.
Ajo çfarë ndodhi me studentët në Britaninë e Madhe duhet të jetë një mësim për të gjithë prindërit këtu që duan të çojnë fëmijët me studime jashtë që ikën studentët, filluan të ikin sepse ishin si studentë të BE-së, doli Britania e Madhe nga BE-ja, iu rritën të gjitha tarifat dhe ju bë e pamundur që të rrinin atje.
Pra, këto gjëra që duhen folur këtu njerëzve:
– Do pasaportën?
– Po.
– Voto këtu.
Jo se ata të tjerët do anulojnë negociatat, por se do humbasim kohë shumë dhe mund të mbyllet dera e pastaj as BE nuk futemi ne, e as pasaportë nuk marrim ne. Mos harroni, Maqedonia e Veriut në 2005 është bërë kandidate, sot akoma nuk ka filluar negociatat sepse ajo derë është e çuditshme. Tani është hapur, është aktuale, thonë “Hajdeni, mbaroni detyrat dhe hajdeni” sepse po nuk mbarove detyrat ata nuk të fusin. Të mbarosh detyrat për t’u futur atje do të thotë që të bësh shtet dhe ata janë testi. Nuk e përcakton këtu këneta se a po bëjmë ne shtet apo nuk po bëjmë ne shtet, nuk e përcakton këneta këtu a po luftojmë ne me krimin e korrupsionin apo nuk po luftojmë ne; e përcakton gjithë ky proces dhe ata që janë si skiftera që shohim çdo ditë çdo gjë që bëjmë ne këtu. Çdo gjë, çdo ditë dhe ata vlerësojnë faktet, nuk merren me muhabete, me portale, me kanale e me llafe. Nuk e përcakton dot as këneta politike e as këneta mediatike se si janë Prokurimet në Shqipëri e përcaktojnë ata që thonë që Shqipëria sot është e para në rajon për integritetin e Prokurimeve Publike që do të thotë që korrupsioni ka marrë një goditje shumë të madhe.
Sot tani, pasi të mbaroj unë, unë nuk do të rri dot më në Durrës, megjithëse kam shumë dëshirë të rri akoma sepse ka shumë gjëra për të bërë e parë me Anin nga punët, do shkoj në Tiranë sepse bëhet prezantimi i një raporti shumë të rëndësishëm të Këshillit të Europës që lidhet me korrupsionin dhe ku Shqipëria përsëri vlerësohet lart për çka ka bërë.
Tani kjo histori nuk mund të jetë që “Hajdut, hajdut” është muhabet kot dhe ne duhet të jemi krenarë, jo që nuk duhet të ulim kokën, por duhet të jemi krenarë për faktin që përtej dhimbjes që kemi personale për arsye njerëzore se nuk na vjen mirë që të shohim dikë që deri dje ka qenë mes nesh dhe sot është në duart e drejtësisë, por ama nuk ndodhte kjo kurrë nëse nuk do e kishim hapur ne këtë kapak, nuk ka pasur kurrë një ministër në historinë e Shqipërisë që e ka marrë një prokuror i pavarur dhe i ka thënë “Hajde këtu se do të pyes”. Këtu u vranë 4 persona në mes të bulevardit dhe nuk u pyet njeri, nuk u pyet dot por u ndaluan, u refuzuan me urdhër nga kryeministri, u refuzua zbatimi i urdhrave të prokurorit, policia i tha “Ik more, nuk zbatojmë ne urdhrat tuaj”. E kuptoni ku kemi qenë ne?
Sot kjo është bërë normale që të shkosh të pyetesh e të merresh. Përtej se çfarë mund të diskutojmë për lajthitje që ka ky proces sepse është diçka shumë e re dhe ndryshe nga reformat e tjera, ndryshe nga punët e tjera që në fund të ditës “Nuk e bëri mirë punën ky këtu dhe u prishën 3 gurë e dolën jashtë” ata 3 gurët tek këto punë janë njerëz, janë jetë njerëzish, por kjo është temë tjetër.
Këtë e kemi bërë ne. si qenka kjo? E kemi bërë ne dhe nuk e bën askush tjetër dot, kurrë. Ata e thonë copë, “Në 12 maj do shkrijmë SPAK-un”.
Në mbyllje dua të them këtë që BE për ne është edhe një buxhet ekstra. Po ju jap dy shembuj shumë të thjeshtë. Në gjithë këto vite, mbështetja totale e BE-së për ne ka qenë rreth 1 miliardë, 10 vjet. Me futjen në BE çdo vit është më shumë se 1 miliardë për Shqipërinë, çdo vit më shumë se 1 miliardë buxhete ekstra. Bujqësia, në gjithë këto vite, mbështetja e BE-së ka qenë më pak se 200 milionë euro totali. Çdo vit është 300 milionë euro për bujqësinë, vetëm me një votë atje se të tjerat i kemi ne në dorë dhe i bëjmë ne, por ama ne na duhet ajo mbështetja, ne na duhet që populli shqiptar të bashkohet dhe të thotë njëzëri “Ne duam BE-në” pastaj PS-ja, këneta, dreqi e shejtani është për, siç thonë durrsakët “Per un’ altra volta”.
Kjo ishte arsyeja pse unë doja t’i bëj këto takime sepse do t’ju lutesha shumë që në të gjitha komunikimet këtë temë të mos ta lëshoni asnjëherë dhe të gjithë duhet ta dine që BE-ja është një familje, si çdo familje ku ka të mëdhenj, ka të vegjël dhe aty ka një rregull. Më të mëdhenjtë dhe më të zhvilluarit Franca, Gjermania, Holanda etj janë kontribuues. Ata japin më shumë sesa marrin nga pikëpamja financiare. Kanë përfitime të tjera se BE vet është një përfitim shumë i madh me tregun e lire etj, por ama nga pikëpamja financiare ata japin më shumë se marrin. Ndërkohë që të tjerët ku hyjmë dhe ne, janë përfitues, që marrin më shumë se japin njësoj si në një familje që të mëdhenjtë punojnë më shumë që të rriten më të vegjlit. Dhe prandaj ne na vjen një buxhet ekstra. Ju kujtohet COVID-i? Ju kujtohet se ç’na bënin ata që kishin familjarë në Greqi? Shihe se greku po i jep këtë e po i jep atë, greku s’jepte asnjë gjë, i jepte BE. Para ekstra menjëherë që shpërndau BE kur ra COVID për të ndihmuar qeveritë që të ndihmojnë popujt e tyre sepse është një familje. Dhe na thoshin ne pse si bëni ju. Po ku ta gjenim ne buxhetin ekstra? Ai është buxhet ekstra i BE dhe është buxhet ekstra për të gjitha gjerat. Pra ky është 11 maji!
Të gjitha të tjerat çfarë do bëjmë për Durrësin, çfarë do bëjmë për Krujën dhe meqë ra fjala është shumë e rëndësishme që ne në mandatin e katërt të bëjmë rrugë që Tur Bushi e kërkon që kur ka qenë i vogël Tiranë-Krujë. Që kur ka qenë i vogël! S’ishte rruga Tiranë-Krujë, iku në Itali. Kur erdhi këtu e kam takuar, të kujtohet ty, se këtu e kam takuar tek shkallët e Aleksandër Moisiut, atëherë ma ka prezantuar i pavdekshmi paraardhësi Anit në bashki dhe i them. E shoh unë këtë, i them po ti ç’ne. Rrugën tha, rrugën Tiranë-Krujë. Po më the tha do bej rrugën Tiranë-Krujë unë do futem në Thumanë. Çfarë t’i thoja unë? Po do bëhet një ditë i thashë por për momentin ne s’kemi dhe si e bëjmë i thashë se jemi në opozitë. Nuk ka problem tha, ti do vish në pushtet do bësh rrugën Tiranë-Krujë.
Do bëjmë dhe rrugën Tiranë-Krujë tani se i erdhi radha. Por çështja është që përtej të gjitha këtyre është ajo që thashë. Nëqoftëse ne futemi në BE dhe mundësitë për të bërë shumë më tepër këtu, edhe për infrastrukturën, edhe për arsimin, edhe për shëndetësinë dhe për çdo gjë tjetër, rriten në mënyrë eksponenciale. Tani si mund të diskutohet më kjo gjë këtu tani? Kjo s’mund të diskutohet mendoj unë dhe prandaj duhet punuar shumë fort me të gjithë ata që janë të lëkundur, me ata që ajanë akoma në efektin e zhurmës së kënetës, që doni të rrini të dëgjoni muzikën e kënetës, dëgjojeni, por në datë 11 mos e hidhni kot atë votë të shkretë. Këto kisha unë. Dhe ju falënderoj shumë të gjithëve. Falënderoj dhe Loerin që na ka begenisur me ardhjen e vet në këtë parti që s’ka lënë llaf pa thënë sa herë ka mundësi. Na ka sharë shumë. Lere çfarë pak! Pak unë quaj ato të sharat e kënetës se është e njëjta muzikë kurse të sharat e muzikave si puna e këtij janë shumë se janë të hidhëta. Dhe Skënderin e falënderoj që u bashkua me ne dhe do jetë një aset dhe një vlerë e madhe sepse realisht është një nga sipërmarrësit shembullor dhe Edvinin po e po që përfaqëson një sektor në transformim dhe ne e kemi të domosdoshme që të jemi vazhdimisht të informuar për zhvillimet dhe për problematikat dhe t’i dimë nga brenda dhe patjetër dhe të gjithë.
Dhe patjetër do ta mbyll me Jonën që unë kur e pashë thashë ku e ka gjetur Ani këtë kalama dhe kur befasisht mora vesh që Jona është me kalama. Kështu që ti qofsh gjithmonë kështu se sot mund të të vijë keq që unë të them dukesh si kalama por po të më thuash mua a dua të dukem kështu a dua të dukem si kalama, unë menjëherë them si kalama.
Top Channel