
“Për Shqiptarët”/ Në një shtëpi të vjetër, të ftohtë në Librazhd, Aferdita ka kaluar shtatë vite plot sakrifica, dhimbje e lot. Pas divorcit ngeli e vetme, me tre fëmijët e saj në një shtëpi me qira.
Edhe pse të vegjël, fëmijët kuptonin gjithçka, e mundoheshin mos ta mërzisnin nënën e tyre.
Shikonin dritaret e thyera e vendosnin plastmas e ngjitës sipër tyre për të zbehur sadopak të ftohtin.
Ditët pa bukë ishin të shumta. Netët pa gjumë më të shumta. Por Aferdita nuk dorëzohej. Çdo mëngjes zgjohej shpresën se një ditë fëmijët e saj do të kishin një jetë më të mirë.
Më shumë se çdo gjë tjetër, ajo shpresonte tek Juljani, djali i saj i madh 19 vjecar, që kishte sjellë dritë në sytë e saj me ëndrrat e tij për të ardhmen. Ai do të ishte krahu i saj i djathtë, shtylla e shtëpisë. Me shumë mund e sakrificë, Juljani arriti të ndjekë studimet në Elbasan. Meqë familja nuk kishte asnjë të ardhur, u strehua falas në konvikt që prej tetorit të vitit të kaluar.
Por jeta, shpesh nuk i kursen as ata që vuajnë kaq shumë. Vit pas viti, Juljani nisi të ndiente dhimbje të forta në shtyllën kurrizore. Fillimisht i injoroi, duke menduar se ishin pasojë e lodhjes apo gjumit të parehatshëm në divanët e vjetër. Por dhimbjet u shtuan dhe trupi i tij filloi të ndryshonte. Mjeku e bëri të qartë: ai vuante nga skolioza.
Gradualisht Juljani u distancua nga të gjithë. Ndihej ndryshe dhe nuk donte që shokët e universitetit të kuptonin problemin e tij.
Gjendja e tij sa vjen e përkeqësohet. Mjekët i kanë thënë se deformimi i shtyllës kurrizore ishte shumë i rëndë. Zgjidhja e vetme për të është operacioni, sepse me kalimin e kohës sëmundja rrezikon të shtypë organet e si pasojë jeta e tij do të vihej në rrezik.
Për Aferditën, fjalët e doktorit ishin si një thikë në zemër. Si mund ta shpëtonte ajo djalin e saj kur nuk kishte asnjë mundësi financiare? Çdo shpresë për të pasur një të ardhme, tani varet nga një ndërhyrje që ata nuk mund ta përballojnë.
Top Channel