“Për Shqiptarët”/ “Djali ka edhe 2 muaj jetë”, Darjani ëndërronte të bëhej futbollist… por sëmundja i preu vrapin, 16-vjeçari: Dua të jetoj për familjen!

21/03/2025 22:31

“Për Shqiptarët”/ E zgjuan, rrezet e para të diellit, të ngrohtë, duke i kujtuar se kish agu dita e re.

Ajo dritë e nxiti të ngrihej rrëmbimthi, të vishte fanellën e të merrte me triblim topin, që e mban gjithmonë poshtë krevatit.

Doli me furi e gjithë gëzim nga shtëpia.

Vrapoi me sa fuqi që kishte drejt fushës së blertë.

Ndaloi për një moment. E mati me sy, cep e më cep atë hapësirë që i dukej e pafund.

Mori frymë thellë dhe nisi të luajë futboll, për qejfin e tij, duke kaluar nga njëra portë në tjetrën, pa ndal për asnjë çast, duke shijuar flladin që i përplasej në fytyrë.

Ndjehej i fuqishëm… i lirë, ndjehej futbollist i vërtetë. Dëgjonte brohoritjet nga tribuna…
Rendteeee e rendte si Maratonomaku drejt lajmit të mirë….

Nuk donte të ndalonte…

Nuk do të kishte ndaluar… nëse nuk do të ishte zgjuar nga ëndërra, që po i shfaqet netëve, shpesh e më shpesh.
Prej disa vitesh, dëshirat, pasionet, jeta e tij janë ngujuar në një trup të sëmurë, që s’i lejon të vrapojë, të luajë, të guxojë si gjithë të tjerët. Çdo përplasje, çdo gërvishtje, mund t’i shkaktojë hemoragji fatale…. ndaj veç ëndrrat i kanë mbetur për të gëzuar të pamundurën.

Në jetën e tij reale, s’ka fusha të blerta futbolli. Ka veç hapësira e mure të bardha spitalesh, ku enden mjekë e infermierë që i rrijnë mbi kokë duke e këshilluar për çdo lëvizje që duhet të bëjë.
Tromboza veno porta, është sëmundja e rëndë, që ia ka rrëmbyer gjithë fëmijërinë, adoleshencën e që sot po rrezikon t’i marrë dhe jetën, 16 vjeçarit Darjan Duro.

“Djali juaj mund të ketë edhe 2 muaj jetë, vetëm 2 muaj!”. Ky është kumti i fundit që mjekët i kanë dhënë nënës së tij, duke e lënë të mpirë, gati të shembur në tokë, nëpër koridoret e spitalit.

A mund të jetë ky fundi për dritën e syve të saj!? A mund ta humbasë ajo kaq shpejt birin e saj!? Fuqi s’ka të ulërasë, por në shpirt i gjëmon vetëm një mendim: “Jo, jo, jo… duhet të ketë ndonjë gabim. S’mund të jetë e vërtetë… O zot, nëse djali im është vërtet në rrezik, duhet gjetur patjetër një zgjidhje. Darjani im s’mund të vdesë.”
Nëna po përpëlitet mes ankthit dhe dhimbjes, ndërsa qëndron çdo natë zgjuar duke dëgjuar zemrën e të birit, a rreh apo jo.

E ka të pamundur të pranojë që duart e saj, që dikur e kanë mbajtur Darjanin si foshnjë, një ditë të mund ta lënë të ikë.

Por ndërsa zemra e nënës nuk e pranon, zemra e Darjanit ka lëshuar sinjale të forta se : KOHA NUK PRET ME.

Zemra e Darjanit ka nevojë për dy operacione jetësore, të menjëhershme. Që të rinisë të rrahë sërish fort. Që t’i rijapë energji e forcë trupit të lodhur të 16 vjeçarit. Që t’i japë jetë, kohë e mundësi që të ngrihet, të dalë nga dhomat e bardha të spitaleve e të rend drej fushës së blertë… të rend si maratonomaku i lajmit të tij të mirë: Unë Darjan Duro, shpëtova. Tani jam i lirë të vrapoj, të luaj, të gëzooj si gjithë të tjerët. S’jam në ëndërr, jam në jetë, jam në dritën e vërtetë!

“Dua të jetoj për familjen time”, thotë ai.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta