
Partia Demokratike i ka dërguar një tjetër kërkesë KQZ-së, duke i kërkuar të marrë masa, për praninë e simboleve të tyre të vjetra në një subjekt privat.
Ata kërkojnë heqjen e logove, të cilat sipas tyre dëmtojnë interesat e PD-së përpara zgjedhjeve të 11 majit.
“I nderuar z. Komisioner… Kjo kërkesë e jona ka të bëjë me aspekte të dezinformimit dhe të (keq) përdorimit publik nga disa individe të simboleve, logove dhe emblemës së Partisë Demokratike, simbole të cilat ka edhe subjekti zgjedhor “Partia Demokratike – Aleanca për Shipërinë Madhështore” – PD-ASHM, koalicion zgjedhor i cili udhëhiqet nga Partia Demokratike.
Konkretisht, shqetësimi ynë ven pas raportimeve nga degët tona në terren, ku konkretisht jemi informuar se në Njësinë n. 5 në Tiranë, në Rugën Nikolla Tupe, ekziston një ambient privat i veshur me simbolet e vjetra të Partisë Demokratike, të cilat prej shumë kohesh nuk përdoren subjekti ynë politik (bashkingjitur fotot e ambientit).
Përdorimi i këtyre simboleve në ambiente publike, në fazën kur fushata zgjedhore zyrtare nis për pak javë, po dëmton interesat e ligjshme të subjektit tonë. Nga ana tjetër, ky ambient privat nuk duhet të konsiderohet (qëllimisht apo gabimisht) si ambient/zyre elektorale e PD nga ana e KQZ.
Ndaj, po i drejtohemi KQZ qe nëpërmjet Inspektoreve të saj në terren, si dhe duke informuar edhe Policinë e Shtetit, të konstatoje këtë fakt dhe të merren masat e duhura administrative dhe ligjore, per heqjen e menjëhershme të këtyre simbole, stemave dhe logove jo-zyrtare të PD”, thuhet në kërkesë.
Top Channel