
Plazhet e kristalta të Ksamilit, që rrjeti gjigant informativ evropian Euronews i konsideron si Maldivet e Europës, kanë filluar të presin pushuesit e parë të huaj. Vetë ata e kanë konsideruar Ksamilin si Maldivet e Europës
Jehona e Ksamilit në tabloidet britanike duket se po përkthehet në prani të madhe të turistëve nga ishulli. Një çift nga Skocia, po qëndron për pak ditë në Ksamil, po kaq ka mjaftuar që të planifikojnë të kthehen sërish në verë, shkruan Euronews.
“Jam Xheini nga Skocia dhe si një përshtypje e parë për Shqipërinë mund të them që është shumë e bukur. Ne sapo hëngrëm mëngjesin në këtë natyrë kaq të bukur dhe ishte shumë i shijshëm, kafja ishte akoma më e mirë dhe dielli është perfekt për këtë kohë të vitit. Sa i përket çmimeve, çdo gjë ishte në një vije paralele me cilësinë e ushqimit dhe shërbimit”.
Edhe vetë operatorët turistikë thonë se në këtë fazë të sezonit po dominojnë turistët britanikë, francezë e gjermanë. Sipas tyre, fluksi pritet të nisë në qershor, ndërsa deri tani, kushtet atmosferike kanë qenë në disfavor të turizmit.
Dominojnë anglezët sepse kanë bërë edhe shumë marketing për ne dhe më pas, francezët e gjermanët po i konsiderojmë pushues cilësorë. Nga qershori e tutje presim një sezon që nuk është parë deri tani në Ksamil, pasi nga qershori rregullohet koha dhe presim deri në shtator një fluks të madh sepse ka filluar sezoni shumë herët. Problem këtë jave ka qenë vetëm koha, shprehet një operator turistik.
Industria e turizmit në Ksamil është përgatitur për fluks turistik më të lartë se një vit më parë. Ksamili mbetet destinacioni i preferuar i të rinjve europianë që vizitojnë Shqipërinë.
Top Channel