
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, e cila zhvillohet në Strasburg, Francë, në datat 20-21 mars.
Në fjalën e saj, Spiropali kërkoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës.
“Këshilli i Europës nuk është i plotë me mungesën e shtetit më të ri të Europës, Kosovës. Vështirë të gjendet një shtet tjetër që pas 26 vitesh liri dhe 17 vitesh pavarësi të ketë ndërtuar një demokraci vibrante si Kosova. Prandaj pranimi i Kosovës në Këshillin e Europës, i cili ka mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, është kërkesa më e rëndësishme e Kryetares së Parlamentit të Shqipërisë ndaj kësaj Konference.
Demokracitë në vendet tona nuk mund të lulëzojnë në mënyrë të qëndrueshme ndërkohë që sulmohen liria, sovraniteti dhe integriteti i kombeve. Prandaj mbështetja jonë e palëkundur për Ukrainën kundër agresionit të Rusisë nuk është vetëm një kontribut për paqen e sigurinë, por edhe për mbrojtjen e vlerave dhe sistemin demokratik në vendet tona“, tha kryeparlamentarja.
Duke folur për Shqipërinë, ajo tha se 30 vjet pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, vendi ynë ka arritur para portave të Bashkimit Europian, me arritje thelbësore e të prekshme në tre shtyllat krysore të organizatës të madhe europiane.
“Vendimi i Asamblesë Parlamentare i prillit 2024 për të nxjerrë Shqipërinë nga procedura e monitorimit të plotë, është një konfirmim i arritjeve tona. Objektivi strategjik kombëtar i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe përfundimin e negociatave teknike brenda vitit 2027 ka gjetur një mbështetje të plotë nga Bashkimi Europian.
Vendimi i Parlamentit Europian për hapjen në Shqipëri të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor është një rikonfirmim i faktit se Shqipëria është jo vetëm vendi kandidat me vizionin më të qartë, shpejtësinë më të lartë dhe vendosmërinë më të madhe drejt familjes europiane, por është edhe një qendër dhe lider në nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin europian të vendeve të rajonit.
Progresi i Shqipërisë drejt Bashkimin Europian është edhe rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe njohjes nga Këshilli i Europës të arritjeve tona, sidomos në pavarësinë e degëve të qeverisjes, reformën e thellë dhe gjithëpërfshirëse në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtjen e pakicave dhe të të drejatve të njeriut, lirinë e medias etj.
Kuvendi i Shqipërisë mbetet i palëkundur në lidershipin, garantimin e legjitimitetit demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit të integrimit europian, në avancimin dhe thellimin e refomave, mbështetjen e institucioneve të drejtësisë dhe të pavarësisë së tyre dhe mbrojtjen e vlerave dhe konsolidimin e institucioneve demokratike“, tha Spiropali.
Top Channel