
Aleksandër Krrashi, shoferi i betonieres, me të cilën u përplas makina ku udhëtonin katër të rinjtë në Fushë Prezë, u arrestua.
Ndaj 24-vjeçarit, rëndojnë veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Sipas policisë, ai nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.
Kështu, ndikuar nga errësira, por edhe shpejtësia tej normave të lejuara, “Benz-i” u përplas me betonieren dhe nga goditja e fortë shpërtheu në flakë, duke u marr jetën në vend drejtuesit të automjetit Enejdi Laçi dhe tre pasagjerët në mjetin e tij Erildi Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç.
Pas aksidentit, Krrashi u largua nga vendgjarja , i ndihmuar nga një i afërm, që po ashtu u vu në pranga, nën akuzën “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Po ashtu, u arrestua menaxheri i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar Krrashi, pasi sipas policisë, nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh. Në kërkim, është shpallur administratori i kësaj firme.
Top Channel