
Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me zbulimin e shtëpisë së barit në Laknas.
Vëllezërit Shkëlqim Matraxhi 38 vjeç dhe Fatmir Matraxhi 28 vjeç ranë në pranga, ndërsa babai i tyre Z. M., 66 vjeç, u vu nën hetim, pasi dyshohet se kishte dijeni dhe nuk kishte kallëzuar.
Në vijim të hetimeve, është vënë në pranga edhe punonjësi i OSHEE-së, Endrit Paja, 29 vjeç, për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Banesa në të cilën kultivohej kanabisi ishte tre katëshe, ku kati i dytë ishte kthyer në shtëpi bari.
Mësohet se pajisjet e kultivimit ishin të teknologjisë së lartë aq sa largonin edhe erën e hashashit, të mos ndihej në zonën përreth. Madje për t’u kamufluar vëllezërit vendosnin edhe muzikë në banesë.
Sa i përket dy të arrestuarve, ata ishin kthyer nga Anglia dhe kjo ishte hera e dytë që kishin ngritur një shtëpi bari, sipas gazetares së Top Channel, Kleida Muka.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.
Top Channel