Ish-kryetari i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në kryeqytet.

Kështu, finalizohet ekstradimi i tij, pasi u arrestua në Madrid të Spanjës, raporton gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

“Ekstradohet nga Spanja, një shtetas me rrezikshmëri shoqërore të lartë, i akuzuar për disa ngjarje kriminale kundër jetës.

Operacioni për kapjen e tij në Spanjë, i koduar “Sant Joan”, u finalizua më 14 dhjetor 2023, si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albanias dhe FAST Spanjës.

Në vijim të këtij bashkëpunimi, Interpol Tirana dhe Interpol Madridi finalizuan procedurën për ekstradimin nga Spanja në Shqipëri, të shtetasit shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, L. B., 54 vjeç.

Në vitin 2020, atij i është caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Vrasja në rrethana cilësuese”, kundër 2 ose më shumë personave dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Në bashkëpunim me shtetas të tjerë, 54-vjeçari dyshohet se:
-në vitin 2004, ka plagosur me armë zjarri, shtetasit V. L. dhe Xh. N.;
-në vitin 2005, në afërsi të fshatit Koxhaj, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin K. S. dhe ka plagosur shtetasin O. T.;
-në vitin 2005, ka vrarë shtetasit V. L. dhe A. A., me lëndë shpërthyese të vendosur në kabinën e një ashensori”, njofton policia.

Në vitin 2020 Lulzim Berisha u shpall në kërkim nga SPAK për 2 vrasje të ndodhura në 2005-ën, atë të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të cilat hetuesit i zbardhën me 15 vite vonesë. Më vonë çështja ndaj Vajdin Lames u pushua dhe vijonte vetëm për Klodian Saliun.

Përveç vrasjeve, emri i Lulzim Berishës lidhet edhe me trafik ndërkombëtar droge, prostitucion dhe trafik armësh. Ai u arrestua më 6 prill të vitit 2006 për 10 akuza, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera në vitet 98-99.

Më 16 janar të vitit 2012, Gjykata e Krimeve të Rënda të kohës e dënoi me burgim të përjetshëm për 6 vrasje, por Gjykata e Larta, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm dhe vendosi dënimin me 25 vite burg për ish-kreun e bandës së Durrësit.

Lulzim Berisha qëndroi 10 vjet e tetë muaj në burg deri kur më 5 dhjetor të vitit 2016, u lirua me kusht nga burgu dhe u punësua në Bashkinë e Durrësit, me një vendim të diskutueshëm të Gjykatës së Apelit.

Por më 27 maj të vitit 2022, ishte Gjykata Kushtetuese ajo që vendosi për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, që duket se fshihej në Spanjë për t’ju shmangur përballjes me drejtësinë.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta