
Qindra qytetarë u mblodhën sot para ambasadës së Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, duke nderuar në heshtje viktimat në Novi Sad dhe Koçan.
Në heshtje, ata kujtuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, pas shembjes së tendës në stacionin e autobusit dhe 59 viktimat në Koçan, për shkak të zjarrit në diskotekën ku po festonin.
Studentët vendosën lule dhe ndezën qirinj para ambasadës, ndërsa tubimit iu bashkuan edhe qytetarë të tjerë. Diplomatët nga Maqedonia e Veriut, përfshirë ambasadorin e Maqedonisë në Serbi, Nikolla Tupançevski, dolën për të përshëndetur pjesëmarrësit.
Studentët në bllokadë u kërkuan ndjekësve në llogaritë e tyre në Instagram se për shkak të tragjedisë në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj, sot të mos marrin pjesë në aktivitete që përfshijnë zhurmë.
“Sot është ditë zie në Serbi për shkak të tragjedisë në Maqedoni. Sot solidarizohemi dhe e kalojmë ditën në heshtje”, thanë studentët në bllokadë.
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, nënshkroi Librin e Ngushëllimeve që u hap në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Beograd, me rastin e tragjedisë në Koçan.
“Në këtë orë të vështirë dhe tragjike që ka goditur Maqedoninë miqësore dhe vëllazërore, Republika e Serbisë qëndron pranë vendit, në dëshirën për të ofruar të gjithë ndihmën e mundshme në përkujdesjen e qytetarëve të lënduar”, shkroi ministri, duke theksuar se mjekët serbë do të kujdesen për të gjithë të lënduarit që janë pranuar për trajtim në Beograd dhe Nish.
Top Channel