
Situata në spitalet e Maqedonisë së Veriut vijon të jetë kaotike prej më shumë se 12 orësh, ku zjarri në klubin e natës në Koçan iu mori jetën 59 personave dhe la të paktën 155 të plagosur rëndë.
Nga Spitali i Shtipit, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, zbuloi masat që po merren për të ndihmuar të lënduarit.
“Erdha këtu në spitalin e Shtipit për të kuptuar më shumë për gjendjen e të lënduarve. Ata që ishin në gjendje më të rëndë janë dërguar në Shkup dhe sipas nevojës, diku rreth 20 do të dërgohen jashtë vendit. Jemi në kontakt me vendet fqinje por edhe disa vende të tjera janë duke na ofruar ndihmë. Posedojmë material të mjaftueshëm mjekësor, kemi edhe njësi të mjaftueshme gjaku në të gjitha klinikat”, u shpreh Taravari.
Drejtori i Spitalit të Shtipit, Vladko Zahariev, foli për gjendjen e të plagosurve, ku tha “Janë gjithsej 39 pacientë, për të cilët jemi përkujdesur dhe janë në gjendje relativisht të mirë. Në klinikën e Shën Naumit të Ohrit në Shkup kanë marrë kujdes 29 të rinj, katër prej tyre janë transportuar jashtë vendit. Dy janë dërguar në Bullgari dhe dy në Serbi. Ndërkohë po përgatitet dokumentacioni për dërgimin edhe të dy të tjerëve në Turqi”.
Me dhjetëra familjarë ndodhen prej shumë orësh para dyerve të Spitalit të Shtipit, në pritje të një lajmi të mirë për të për të afërmit e tyre. Disa qytetare treguan se si e mësuan lajmin tronditës.
“Në orën nëntë na kanë treguar, derisa kemi ardhur dhe e kemi marrë vesh që është në spitalin e Shtipit. Po presim që të zgjohet dhe të shkoj të ai. Djali im është këtu, i ka 37 vjet, ka qenë mysafir.”, tha një familjare.
“Disa miq na kanë lajmëruar për tragjedinë dhe erdhëm këtu. Falë zotit, ka kaluar me lëndime të lehta në dorë, por ka edhe në kokë. Një prej shokëve të vëllait tim është më rëndë dhe është në Shkup dhe të tjerët janë këtu në Shtip. Disa mungojnë, po i kërkojnë akoma”, tha një tjetër.
Top Channel