Tre prej 20 të plagosurve rëndë nga gjithsej 155 të tragjedisë në qytetin Koçan të Maqedonisë së Veriut janë transportuar të intubuar në spitalin Papanikolaou të Selanikut.

Ata trajtohen në repartin e kujdesit intensiv të djegieve të këtij spitali. Ambulancat nga vendi fqinj kanë mbërritur rreth orës 5.30 të pasdites në qytetin verior të Greqisë të shoqëruara me motoçikleta policore. Autoritetet spitalore kanë deklaruar se janë të gatshme të presin edhe raste të tjera në se është e nevojshme. Prej çasteve të para ministria e Jashtme greke ka komunikuar me autoritetet në Shkup duke ofruar ndihmë spitalore.

Ndërkohë presidenti i ri i Greqisë, Konstantinos Tasoulas i shprehu homologes së tij të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, ngushëllimet më të thella të popullit grek dhe të tij personalisht për viktimat e tragjedisë së papërshkrueshme në qytetin e Koçanit.

Presidenti Tasoulas u uroi shërim të shpejtë të plagosurve dhe e siguroi homologen Davkova se Greqia do të japë të gjithë ndihmën e nevojshme.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis gjithashtu ka dërguar ngushëllimet e tij të sinqerta për popullin e Maqedonisë së Veriut dhe për jetët e humbura në ngjarjen tragjike të qytetit Koçan me një postim në llogarinë e tij në rrjetin X.

“Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre si dhe me të lënduarit të cilëve ju uroj shërim të shpejtë. Greqia është e gatshme të ndihmojë në këtë moment të vështirë”, theksoi Mitsotakis.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta