
Të paktën 107 mijë njerëz u bënë bashkë në Beograd këtë të shtunë, në protestën madhështore kundër presidentit serb, Aleksander Vuçiç.
Turma të mëdha protestuesish bllokuan qendrën e kryeqytetit, pavarësisht nga reshjet e herëpashershme të shiut, teksa njerëzit mezi lëviznin për shkak të numrit të lartë të pjesëmarrësve.
Protesta u mbyll pas gati pesë orësh, ku u raportuan disa incidente sporadike, ku protestuesit u përplasën me efektivët e policisë. Më pas, studentët kërkuan befas ndërprerjen e demonstratës, duke thënë se nuk mund të garantonin më sigurinë në tubim. Shumica e protestuesve u shpërndanë, por mijëra të tjerë mbetën në rrugë ndërsa tensionet u rritën.
Ky tubim u quajt “15 për 15”, duke iu referuar datës së protestës dhe numrit të njerëzve të vrarë në qytetin e Novi Sadit më 1 nëntor. Turmat mbajtën 15 minuta heshtje për të nderuar viktimat.
Ndërkohë, përpara demonstratës, Vuçiç paralajmëroi vazhdimisht për planet e supozuara për trazira, ndërsa kërcënoi me arrestime dhe dënime të ashpra për çdo incident.
Top Channel