
Një plagosje me armë gjahu ka ndodhur në Elbasan dhe policia njofton sot se ka arrestuar autorin.
Në pranga ra Ilir Dedja 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes. Gjatë operacionit policor të koduar “Reagimi”, Policia i gjeti në banesë autorit të dyshuar një armë zjarri automatike me silenciatorë, armën e gjahut me të cilën dyshohet se plagosi 53-vjeçarin dhe municion luftarak.
Arma e zjarrit me silenciator u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim të mëtejshëm, për të parë nëse kjo armë është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu shtetasin B. B., 53 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më tej, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel