
Qëndrimi i ashpër i administratës Trump ndaj tarifave ka shkaktuar një valë globale rezistence – a duhet të bojkotohen produktet amerikane.
Vendet skandinave dhe Kanadaja po udhëheqin një tendencë në rritje ndërkombëtare të shmangies së produkteve amerikane për shkak të vendimit të presidentit amerikan Donald Trumppër të vendosur tarifa për një sërë produktesh nga e gjithë bota.
Javët e fundit, në Facebook janë krijuar grupe të shumta që bëjnë thirrje për bojkot. Një grup suedez i quajtur Bojkotta varor från USA (Bojkoto Mallrat nga SHBA) kishte pothuajse 80,000 anëtarë në kohën e shkrimit.
Grupi beson se po mbron “demokracinë, vetëvendosjen dhe sigurinë” dhe shpreson të ushtrojë presion mbi administratën Trump përmes bojkotit. Ata e justifikojnë përdorimin e Facebookut amerikan si platformë duke thënë se është “arma më e mirë” për qëllimin e tyre.
Grupe të ngjashme janë shfaqur edhe në Kanada, ndërsa një grup francez BOYKONT USA: Achetez Francais et Europeen! ka mbi 20,000 anëtarë.
Tesla sheh rënie të shitjeve për shkak të Musk
Për momentin, nuk ka shumë të dhëna nëse fushata të tilla kanë ndonjë ndikim konkret. Megjithatë, një nga produktet amerikane që ka një lidhje të drejtpërdrejtë me administratën Trump është Tesla. Kjo markë e makinave elektrike udhëhiqet nga Elon Musk, i cili aktualisht është këshilltar i lartë i Presidentit të SHBA dhe drejton Departamentin e sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).
Të dhënat ngaShoqata Evropianee Prodhuesve të Automobilave (ACEA) tregojnë se shitjet e makinave Tesla në Evropë ranë me 45 për qind në janar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Gjatë vitit të kaluar, Tesla pati rënie të shitjeve me 13 për qind në të gjithë Bashkimin Evropian.
Blej produkte kanadeze
Ndjenjat anti-amerikane janë veçanërisht të theksuara në Kanada. Trump vendosi tarifa 25 për qind për produktet kanadeze, pavarësisht një aleance të gjatë dhe një kufiri të përbashkët gati 9,000 kilometra të gjatë midis dy vendeve.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së. Publikisht dhe qëllimisht ai i është referuar kryeministrit Justin Trudeau si “Guvernatori Trudeau”, gjë që ka shkaktuar zemërim tek kanadezët.
Provokime të tilla çuan në një reagim serioz publik. Ndjenja në rritje anti-Trump ndihmoi Partinë Liberale të Kanadasë, dikur e udhëhequr nga Trudeau dhe tani nga Mark Carney, të arrinte një kthesë të jashtëzakonshme në votime. Në fillim të vitit 2025, Liberalët pasuan Partinë Konservatore me 25 pikë përqindjeje, por tani ata kryesojnë në shumë sondazhe të opinionit.
Ky disponim po reflektohet gjithnjë e më shumë tek konsumatorët. Dylan Lobo, i cili drejton faqen e internetit Made in CA, e cila ofron një katalog në internet të produkteve kanadeze, i tha Business Insider se faqja e tij ka parë një rritje të madhe të vizitave.
“Tani Kanadaja po përfshihet nga një valë e madhe patriotizmi,” thotë Lobo. “Kanadezët duan të mbështesin kanadezët e tyre.”
Shumë kompani kanadeze kanë nisur gjithashtu fushata “Blej Kanadeze”. Në Ontario, Bordi Shtetëror i Kontrollit të pijeve njoftoi se nuk do të shesë më produkte amerikane si bourbon dhe verë. Provinca e New Brunswick ka njoftuar gjithashtu masa të ngjashme.
Guvernatori i Ontarios, Doug Ford, ka anuluar një kontratë me vlerë 100 milionë dollarë kanadezë (63.3 milionë euro) me Starlink, kompaninë e telekomunikacionit të Elon Musk. “Ontario nuk do të bëjë biznes me njerëz që janë të vendosur të shkatërrojnë ekonominë tonë”, tha Ford në rrjetin social X (i cili është në pronësi të Musk).
Rezistenca evropiane
Në Europë disa kompani po marrin masa edhe ndaj produkteve amerikane. Kompania më e madhe e shitjes me pakicë në Danimarkë, Saling Group, ka njoftuar se do t’i shënojë produktet evropiane me një yll të zi në dyqanet e saj, për t’i bërë më të lehtë njohjen nga klientët.
Disa kompani shkojnë një hap më tej. Kompania norvegjeze Haltbak, e cila furnizon me karburant anijet, njoftoi se nuk do t’i shesë më karburant Marinës amerikane.
Jashtë Evropës dhe Kanadasë, shumë drejtues biznesi po ndërgjegjësohen për pasojat e mundshme të bojkoteve të tilla në produktet amerikane.
Takeshi Ninami, CEO i gjigantit japonez Santori Holdings, i cili zotëron marka të tilla si Jim Beam, paralajmëroi se markat amerikane mund të kenë pasoja për shkak të gjendjes tek konsumatorët në mbarë botën.
“Ne përgatitëm planin strategjik dhe buxhetor për vitin 2025 bazuar në supozimin se produktet amerikane, përfshirë uiskin amerikan, mund të pranohen më pak në vendet jashtë SHBA-së, së pari për shkak të tarifave dhe së dyti për shkak të emocioneve”, tha Ninami për Financial Times.
Kjo sugjeron që bojkotet dhe sjellja e konsumatorëve mund të ndikojnë negativisht në shitjet për kompanitë amerikane në Kanada, Evropë dhe rajone të tjera. Muajt e ardhshëm do të sjellin të dhëna më të sakta për këtë prirje dhe do të monitorohet nga afër në të dy anët e Atlantikut.
Një zëdhënës i Organizatës Evropiane të Konsumatorëve (BEUC), e cila përfaqëson interesat e konsumatorëve në të gjithë Evropën, tha se ata nuk kanë ende një qëndrim zyrtar për bojkotin dhe aktualisht janë të fokusuar në “analizimin e ndikimit të tarifave tek konsumatorët”. Në një deklaratë për Deutsche Welle, zëdhënësi i BEUC deklaroi gjithashtu se po punohet me organizatat amerikane të konsumatorëve për të siguruar që “bashkëpunimi transatlantik të mbetet në interes të konsumatorëve”./DW
Top Channel