
“Për Shqiptarët” zbuluan një histori të vështirë për një çift të rinjsh, të cilët po përballen me gjendjen e rënduar shëndetësore të vajzës së tyre 1-muajshe, Solei.
Në moshën 16-vjeçare, Kledjana lë pas fshatin e vogël Budaç ku jetonte, për të vazhduar shkollën e mesme në Shkodër.
Kishte shumë dëshira, shumë ëndrra dhe prindërit e saj me sakrifica bënë të pamundurën për t’ia bërë realitet. E kështu nisi rrugëtimi i saj në qytetin e madh plot mundësi.
Dy vite më vonë njohu Eduardin dhe ranë në dashuri me njëri-tjetrin. Ishin të lumtur e akoma më shumë u lumturuan kur mësuan se do të bëheshin prindër të një djali. Aleksandri mbushi shtepinë me gëzim.
Në verën e vitit 2024 morën një tjetër lajm që iu gëzoi zemrat, do të bëheshin përsëri prindër. Në 4-vjetorin e martesës së prindërve, në 10 shkurt të këtij viti, erdhi në jetë ajo që për familjen ishte si një diell, prandaj edhe e quajtën Solei.
Por fati kishte rezervuar një rrugëtim të hidhur për Solein e vogël. Ajo lindi shumë e sëmurë dhe menjëherë u transferua në intubim.
Kledjana nuk mundi ta mbante as pak sekonda në kraharor të voglën e saj, nuk mundi t’i shihte fytyrën e as t’i ndjente erën.
Mjekët e Shkodrës e nisën Solein menjëherë drejt Tiranës. Eduardi qëndroi pranë saj në ambulancë gjatë gjithë kohës, ndërsa Kledjana nuk mund të lëvizte ende. Ajo qëndronte e shtruar në spital, dëgjonte zhurmat në korridor dhe ndjentë një boshllëk në zemër. I dukej sikur e kishte braktisur, e kishte nevojë të ishte pranë saj.
Dy ditë më vonë Kledjana, pavarësisht këshillave të mjekëve për të mos shkuar, vendosi të udhëtojë në Tiranë drejt së bijës. Gjatë gjithë rrugës ka pasur vetëm një luajtje, ta shihte të gjallë vajzën, qoftë edhe për një moment të fundit.
Sapo arriti, Kledjana e gjeti Solein e vogël në inkubator. E shihte përtej atij kafazi xhami që i pengonte kontaktin me të, në një gjendje të rëndë shëndetësore. Solei ishte shumë e brishtë, kishte vetëm pak ditë që kishte lindur, e në jetë po e mbanin disa aparatura.
Solei iu nënshtrua dy ndërhyrjeve kirurgjikale menjëherë pasi solli të qarat e para në këtë botë. Ajo është lindur me një problem në trupin e saj. Barku i saj është i mbushur me ujë dhe gjendja sa vjen e bëhet më kritike.
Organet e saj të vogla nuk e përballojnë dot. Një kist brenda barkut rrezikon të rritet dhe t’i bllokojë mushkëritë. E nëse kjo ndodh, as aparaturat nuk mund ta ndihmojnë të marrë frymë.
Kledjana është e frikësuar. E sheh vajzën e saj çdo ditë që lufton, mundohet për çdo frymë që merr e ajo nuk mund të bëjë asgjë për ta ndihmuar. Do të donte ta mbante në duar, ta puthte, ta qetësonte, por për momentin nuk mundet, e ka frikë se mund të mos e bëjë dot kurrë. Ajo mundet vetëm të lutet e të shpresojë që dikush do ia shpëtojë vajzën.
“Do e mbyllim kështu episodin edhe për sot, duke ju bërë thirrje të vazhdoni të jepni kontributin tuaj sepse dy jetë janë në rrezik e familjet e tyre i kanë sytë e shpresat vetëm te ne. Urojmë që shuma e domosdoshme për dërgimin e Afrores dhe Soleit të mblidhet sa më shpejt e të dyja të dërgohen në Itali për të marrë mjekimin e domosdoshëm. Bashkë do të shihemi përsëri të premten që vjen me të tjera histori. Pavarësisht sfidave, mos e humbisni besimin se çdo moment, çdo frymë e ka një qëllim dhe vlen. Jeta vlen dhe nuk duhet të rreshtim së luftuari”, bëri thirrje Bora Zemani.
Top Channel