Larmi aktivitetesh shoqëruar me këngëtarë të njohur, Belshi e pret me festë Ditën e Verës

14/03/2025 14:29

Bashkia Belsh, me festimet e organizuara me rastin e Ditës së Verës, i ka bërë sfidë edhe Elbasanit, që ka ekskluzivitetin e kësaj feste të ruajtur “gjallë” prej shekujsh.

Eventi “Dumrea Summer Day Fest” ka sjellë jo vetëm për vendasit, por edhe për të gjithë vizitorët, një kombinim perfekt të natyrës dhe aktiviteteve të paharrueshme me muzikë dhe këngë nga artistët më të dashur, kamping, piknik, lojëra dhe shumë eksperienca që e bënë këtë festë të paharrueshme dhe më të bukur për të gjithë. Gjatë koncerteve të organizuara në Belsh, performuan artistë nga më të dashurit për publikun si Alban Skënderaj, Anxhela Peristeri, Eranda Libohova, Fifi dhe Bruno & Klajdi.

Gjatë dy ditëve festive, kushtuar ardhjes së stinës së pranverës, në të gjitha destinacionet turistike të Belshit u zhvilluan aktivitete të shumta për të gjitha grupmoshat, si lojëra për fëmijë, gjueti thesari, punime artizanale, pikturë në natyrë, paintball, crossfit, boyscouting, archery e shumë aktivitete të tjera.

Dita e Verës 2025 në Bashkinë e Belshit kishte epiqendër të saj “Eco Park Marinë”, dhe rrethinat e tij ishin të pranishëm mijëra vizitorë nga i gjithë vendi, si edhe grupe të shumta turistësh të huaj.

“Dumrea Summer Day Fest” është një risi që do të kthehet në traditë, e cila ka si qëllim kryesor që të promovojë destinacionet e shumta turistike të kësaj zone, ku zhvillimi i industrisë së turizmit po ngjitet në nivele mjaft cilësore.

Mrekullitë e shumta natyrore, sikurse janë liqenet karstike dhe shtimi i bizneseve të reja të cilat ofrojnë shërbime me klas, po joshin turistët që i frekuentojnë ato, duke ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të turistëve që frekuentojnë destinacionet turistike të Belshit, i cili tashmë është prioritet i të gjitha udhëzimeve turistike vendase e të huaja.

Këtë Ditë Vere, si askund tjetër në Shqipëri, Belshi dhe natyra e tij e mrekullueshme, me liqenet e shumta karstike, u vizituan nga qindra e mijëra qytetarë nga zona e Dumresë dhe nga të rinj e të reja nga qytete të ndryshme të Shqipërisë për Piknik, një traditë e lashtë kjo e ringjallur vitet e fundit në këtë zonë.

Pikniku sipas tyre është gjithmonë i bukur, edhe ashtu i organizuar thjesht në një ditë feste si Dita e Verës. Këtë 14 Mars, pothuajse të gjithë e kishin menduar këtë Ditë deri në detaje për Piknik në Natyrën Perlë të Belshit.

Pikniku mbetet një mënyrë organizimi origjinale për të festuar Ditën e Verës me dekorin e pazakontë në sfond, sikurse janë liqenet karstike dhe masivet pyjore të Belshit, ku në sfond kishte muzikë popullore nga të gjitha krahinat.

Një vetëorganizim i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë, dhe sivjet në Belsh u organizua Pikniku më i madh i të gjitha kohëve te Liqeni dhe Pylli i Marinës së Belshit.

Natyra e kësaj zone është relaksuese dhe të gjithë e zgjodhën Piknikun jo vetëm në një ditë të tillë, por do ta zgjedhin edhe gjatë fundjavave dhe në ditë pushimi.

Belshi, me organizime të tilla, synon të japë një shembull të pazakontë sesi në ditë feste me diell mund të vetëorganizohen edhe Pikniqe masive me pjesëmarrjen e qindra e mijëra vetëve, mes natyrës që të qetëson, relakson dhe që të mbush me energji pozitive, duke të bërë edhe më paqësor dhe më të dashur.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta