Fiks Fare/ ASHK Vlorë nuk zbaton vendimin e Gjykatës së Lartë, qytetari: Ish drejtori më tha do më vrasin nëse të njoh pronësinë

14/03/2025 20:50

Agjencia Shtetërore e Kadastrës Vlorë nuk zbaton vendimin e Gjykatës së Lartë, për të regjistruar 60 bashkëpronarë të një pasurie 6094m e ndodhur në Ujin e Ftohtë Vlorë.

Pronë në të cilën aktualisht po ndërtohet kompleks pallatesh dhe është e regjistruar vetëm në emër të 5 trashëgimtarëve ligjorë. Ndërkohë 55 të tjerë prej vitesh kanë mbetur dyerve të gjykata, por edhe kur Gjykata e Lartë ju dha të drejtë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk zbaton vendimin.

Emisioni Fiks Fare solli dëshmi të disa trashëgimtarëve ligjorë të Ismail Shehut i cili ka qenë pronar i një pasurie prej 6094 metra katrorë, të cilët thonë se kanë luftuar vite të tëra në gjykata në mënyrë që të regjistrohen si bashkëpronarë, dhe kur Gjykata e Lartë iu dha të drejtë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk zbaton vendimin.

Një prej trashëgimtarëve tregon se pronën e morën të gjithë bashkëpronarët që në vitin 2012 me vendim gjykate, por arritën ta regjistrojnë vetëm 5 prej tyre. Ndërkohë një vit më vonë arritën që të merrnin një vërtetim hipotekor 42 bashkëpronarët e tjerë.

“Edhe pse e morëm njëherë vërtetimin si bashkëpronar, drejtori i asaj kohe më tha se më kanë kërcënuar me jetë nëse nuk e bëj të pavlefshëm, ndaj brenda muajit nxori një urdhër të brendshëm ku e bëri të pavlefshëm, dhe la në fuqi vetëm 5 bashkëpronarët”, thotë një prej trashëgimtarëve.

Një tjetër trashëgimtare tregon se 3 tezet e saj kanë përfituar pasuri nga gjyshi vetëm e ëma jo.

“Ju kam thënë po si e morët ju dhe ne jo, më kanë thënë shko në gjykatë”, thotë zonja.

Të tjerë trashëgimtarë u shprehën që pas gjyqeve të shumta Gjykata e Lartë, nuk njohu më 5 bashkëpronar, por 60. Aq sa janë vërtetë dhe aq sa duhet ta gëzojnë pronën, por sërish nuk e regjistrojmë dot.

“Nuk na e regjistron ASHK-ja Vlorë, na nxjerrë justifikime të ndryshme, vetëm shtyn procesin pa arsye, në fund na ka thënë se ka sigurim padie”, thotë një tjetër trashëgimtar.

Emisioni Fiks Fare solli dosjen e plotë të gjithë procedurave ligjore për fitimin e kësaj prone. Gjithashtu kërkoi një përgjigje në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës Vlorë, e cila ka qenë vetë palë në proces deri në Gjykatën e Lartë dhe e ka fituar atë, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur që të mos pajisen me certifikata vetëm 5 trashëgimtar, po edhe të tjerët. Edhe pas marrjes së këtij vendim kadastra nuk e zbaton.

Në përgjigjen e saj për Fiks fare, Kadastra e arsyeton mos zbatimin e vendimit të gjykatës sepse ka dy sigurime padie. Në këto kushte ky institucion nuk mund ta regjistrojnë.

Ndërkohë Fiksi ka sjell fakte se njëri prej sigurimeve të padisë ka rënë dhe tjetri pengon vetëm tjetërsimin e pjesës së pasurisë së njërit prej 5 bashkëpronarëve. Në asnjë rast nuk pengohet regjistrimi i vendimit të Gjykatës së Lartë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta