
Nuk ka ende një përgjigje zyrtare nga ana e Moskës ndaj propozimit të Uashingtonit për një armëpushim 30 ditor me Kievin, i cili të hidhte edhe bazat e një paqeje afatgjatë.
Megjithatë, sipas agjencisë së njohur të lajmeve Reuters, e cila citon dy burime që kanë dijeni për çështjen, Kremlini ka paraqitur një listë kërkesash.
Edhe pse nuk dihet me saktësi se çfarë përmban lista, burimet në fjalë thonë se kushtet janë të ngjashme me ato të paraqitura më parë, e mes tyre insistohet sërish që të mos ketë anëtarësi në NATO për Ukrainën, kundërshtohet prania e trupave të huaja në këtë vend dhe kërkohet njohja ndërkombëtare e pretendimit të Vladimir Putin ndaj Krimesë dhe katër provincave ukrainase.
Angazhimi i Putinit për një marrëveshje armëpushimi mbetet i pasigurt, thuhet në shkrim, me detaje ende për t’u finalizuar.
Disa zyrtarë amerikanë druhen se ish oficeri i KGB-së, mund ta përdorë pushimzjarrin për të intensifikuar përpjekjet për të ndarë SHBA-në, Ukrainën dhe Europën dhe për të minuar çdo negociatë.
Për herë të parë që kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi mandatin e dytë në janar dhe nisi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, është Moska – e jo Kievi – ajo që gjendet nën një presion më të madh nga Shtetet e Bashkuara që të tregojë se është e angazhuar për të arritur paqe.
Trumpi pohoi më herët se të mërkurën, zyrtarët amerikanë janë nisur drejt Moskës, pasi Ukraina u pajtua me planin amerikan për një armëpushim të menjëhershëm 30-ditor, i cili mund edhe të zgjatet.
Top Channel