
Sezoni i dytë veror i Ryanair në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës premton një program emocionues me çmime të ulëta drejt 23 destinacioneve turistike tërheqëse, dy prej të cilave janë rrugë të reja, Lamezia dhe Varshava.
Rrugëtimi i kompanisë ajrore lowcost nr 1 në Europë shënon sukses në Tia duke arritur 320 fluturime javore vetëm brenda dy vitesh.
“Ne e nisëm operimin në nëntor 2023, dhe e nisëm me vrull. Që ditën e parë patëm 18 destinacione, gjë që zakonisht nuk ndodh kur një kompani ajrore hap një bazë të re. Zakonisht, duhet kohë për të parë si reagon tregu, por në aeroportin e Tiranës reagimi që në fillim ishte jashtëzakonisht i mirë. Dhe deri tani, Ryanair numëron më shumë se 3 milionë udhëtarë nga dhe drejt Tiranës brenda një kohe shumë të shkurtër. Ky është një zhvillim i rëndësishëm si për ne, ashtu edhe për ta. Ata shtuan një destinacion që është shumë i kërkuar nga tregjet evropiane dhe më gjerë”, shprehet PierVitorio.
“E vizitova aeroportin e Tiranës para tre vitesh dhe sot shoh një ndryshim të jashtëzakonshëm- fluks pasagjerësh, shërbime të reja e një përvojë shumë më të mirë udhëtimi. Dhe kjo nuk është diçka që e them shpesh, por dua të komplimentoj ekipin e aeroportit, si dhe pronarët e Kastrati group për transformimin. Është vërtet mbresëlënëse. Dhe ne parashikojmë që për 5 vitet e ardhshme numri i pasagjerëve që fluturojnë me Ryanair përmes TIA të arrijë 5 milion dhe të shtojmë gati 30 destinacione të reja”, thotë Jason McGuiness, drejtor i Ryanair për çështjet komerciale.
Punimet e vazhdueshme për zgjerimin e aeroportit të Tiranës, me vizionin për të pasur gjithmonë një aeroport më të mirë në bazë të rritjes turistike dhe trafikut ajror në Shqipëri, kanë krijuar bindjen te Ryan air për ngritjen e një baze avionësh edhe në Tiranë duke ofruar çmime konkurruese dhe mbi 2200 vende pune për shqiptarët.
“Verën e kaluar çmimet e biletave ranë me 10%, duke vijuar angazhimin tonë për të ofruar tarifat më të ulëta në gjithë Evropën. Në Tiranë po rritemi me një ritëm shumë të shpejtë. Kjo është ajo që e bën Ryanair unik: rritja e kapacitetit ndihmon në mbajtjen e çmimeve të ulëta. E kuptojmë potencialin e jashtëzakonshëm që ka aeroporti i Tiranës për t’u bërë një nga destinacionet kryesore në Evropë. pikërisht për këtë arsye jemi këtu, duke bashkëpunuar ngushtë me ekipin e Tia-s si dhe qeverinë”., shton McGuiness.
Për të shpërblyer udhëtarët, Ryanair dhuron një ofertë speciale 3-ditore për bileta, me çmime që fillojnë nga vetëm 19.99 €, të disponueshme ekskluzivisht në ryanair.com prej 15 marsit.
Top Channel