Përse adoleshentët pëlqejnë dhunën? Psikologia komenton sjelljet agresive: Identifikohet përmes të fortit

11/03/2025 15:21

“Adoleshenca është mosha më delikate e të rinjve ku duan që të identifikohen përmes rolit të të fortit”.

Ky konstatim i psikologes Aurela Agalliu, u provua edhe një herë nga sherri i një ditë më parë mes një grupi të rinjve, nxënës të shkollës “Sami Frashëri” në Tiranë.

Kjo dëshirë për të treguar forcën përmes dhunës, nxitur edhe nga rrjetet sociale, ka shtuar rastet e konflikteve mes adoleshentëve.

Por psikologia vë theksin dhe tek një tjetër problematik: mosfunksionimi i trekëndëshit të bashkëpunimit prindër-mësues-nxënës.

“Duke mos u evidentuar këto problematika brenda ambienteve të shkollës në lidhje me shfaqjen e disa sjelljeve apo dhe emocioneve të fëmijëve dhe duke mos u komunikuar dhe referuar te prindi dhe gjithashtu anasjelltas problematikat që prindërit identifikojnë tek fëmijët e tyre brenda në familje dhe më pas nuk i referojnë në shkollë, sigurisht që do të kemi prodhim dhe shtim të rasteve të tilla”, shprehet ajo.

Për ti kapur në kohë rastet e keqkuptimeve mes të rinjve dhe për ti menaxhuar në mënyrë të tillë që të evitohen përplasjet fizike duhet që rolin të kryejnë dhe aktor të tjerë brenda institucioneve arsimore, krahas mësuesve.

“Roli i punonjësit social është shumë i rëndësishëm nëpër shkolla, roli i psikologut gjithashtu. Nëse do të kemi të gjithë profesionistët e duhur në institucionet arsimore, mendojë që edhe vet institucioni dhe mënyra si do të funksionojë në lidhje me edukimin, do të jetë më i mirë”, shton psikolgia.

Konfliktet mes të rinjve në një pjesë të madhe të rasteve nuk raportohen në polici, çka bën që problematikat të përshkallëzohen në të ardhmen.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta