
Psikologu po vjen gjithnjë e më afër nesh prej më shumë se dy vjetësh, shërbimi i psikologut ofrohet edhe në 50 qendra shëndetësore në të gjithë vendin dhe ofron shërbime si për të rritur, adoleshentë, dhe fëmijë.
“Pranë qendrës kombëtare të Shëndetit mendor nr.2, prej një viti e gjysmë është hapur departamenti i cili trajton problematikat e fëmijëve dhe adoleshentëve. Përditshmëria ime konsiston në trajtimin e fëmijëve nga mosha 5-6 vjeç, deri në moshën 18 vjeç, ku problematikat janë nga më të ndryshmet. Problematikat e çrregullimit të hiperaktivitetit, çrregullimi i vëmendjes, neurozhvillimi, çrregullimi i komunikimit, çrregullimin e ankthit, çrregullime kompulsive etj“-shprehet Enkelana Lekli, psikologe klinike.
Kush i referon fëmijët dhe adoleshentët që të vijnë pranë jush?
“Fëmijët është e vështirë të jenë ata të cilët kërkojnë ndihmë, por familjarët e tyre, mësuesit, pediatrët e familjes, janë personat të cilët i identifikojnë këto problematika dhe rekomandojnë prindërit që të kërkojnë ndihmë pranë qendra komunitare të shëndetit mendor”.
Cilët janë faktorët që ndikojnë te problemet e shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët?
“Faktorë biologjik, gjenetikë, problematika familjare, problematika në shkollë, rrjetet sociale, fëmijët që vijnë nga familje disfunksionale, prindër të alkoolizuar, dhuna në familje. Edhe bullizmi është një tjetër faktor që ndikon në mirëqenien e shëndetit mendor që manifestohet si përmes komunikimeve verbale, zënkave debateve në ambientet e shkollës dhe jashtë saj, por dhe nëpërmjet rrjetet sociale ku ofendimet janë gjithmonë më të rënda dhe kërcënuese.”
Nëse do bënit një renditje të problemeve të shëndetit mendor, cilat do të ishin në tre vendet e para?
“Çrregullimi i ankthit, çrregullimi i vëmendjes dhe i hiperaktivitetit dhe i spektrit të autizmit që janë më kryesoret”.
Top Channel