
Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Durrës u organizua një marshim me fokus tek të drejtat dhe fuqizimi i grave dhe vajzave si një faktor kyç për zhvillimin e familjes dhe një shoqërie të sigurt.
Marshimi nisi nga Gjykata e Durrësit dhe vazhdoi përgjatë bulevardit e shëtitores “Taulantia” të qytetit, duke ftuar qytetarë të tjerë në mbështetje të kauzës.
Aktivistet theksuan rëndësinë e mundësive të barabarta dhe mbështetjes për gratë dhe vajzat.
Dhuna ndaj gruas mbetet ende një shqetësim. Në Durrës, vitin e kaluar u lëshuan 471 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje, ndërsa në dy muajt e parë të këtij viti 75 urdhra të tjerë, ndërsa kanë nisur rreth 330 procedime penale për dhunë në familje.
Pjesëmarrëset ngritën zërin duke kërkuar siguri dhe paqe brenda mureve të shtëpisë dhe ndërgjegjësim për rolin e gruas në familje dhe shoqëri.
Top Channel