
Unioni i Bashkive Shqiptare të Rajonit zhvilloi në Tuz të Malit të Zi Forumin e Grave të Suksesshme në Trevat Shqiptare.
Në një pritje gala, gazetarja e Top Channel, Genta Popa Prodani, u nderua me çmimin “Medalja e Mirënjohjes”. Ndërsa panelet e diskutimeve u përqendruan tek rëndësia e lidershipit të gruas dhe roli i grave në fushën e turizmit.
Tuzi i Malit të Zi hapi dyert për gratë e suksesshme, në një celebrim të arritjeve të tyre në disa fusha me ndikim të veçantë, në trevat shqiptare të rajonit tonë.
Në ceremoninë zyrtare të pritjes, gazetarja e Top Channel, Genta Popa Prodani, u vlerësua me Medaljen e Mirënjohjes për realizimin e emisioneve dhe projekteve me tema shoqërore, kulturore dhe historike, me ndikim në publik, që iu dorëzua nga zv/kryeministri i Malit të Zi, zoti Nik Gjelaj.
Në ditën e gruas, disa panele diskutimesh referuan mbi lidershipin e gruas në tërësi, në një botë ku problemet vazhdojnë të jenë të pranishme.
Gruaja dhe turizmi ishte tema që shënjoi në veçanti diskutimet në Tuz, duke pasur parasysh mundësinë e madhe që turizmi krijon për t’u lidhur edhe më shumë me njëri-tjetrin përmes fuqizimit të lidhjeve rajonale dhe më gjerë.
Eventet u mbyllën në sheshin Skënderbej të Tuzit, ku në një kuzhinë të hapur u promovuan disa gatime tradicionale, siç është “Maza” e malësisë së kësaj zone, një pasuri e trashëgimisë kulturore të grave në breza.
Top Channel