Ukraina përdor për herë të parë avionët luftarakë francezë Mirage 2000 për t’u mbrojtur nga dronët rusë. Ja sekreti i “dhuratës” së Macron

07/03/2025 13:17

Forcat ajrore të Ukrainës thonë se sulmi gjatë natës nga Rusia kishte në shënjestër kryesisht industrinë ukrainase të nxjerrjes së gazit.

Sulmi përfshiu 67 raketa (përfshirë 43 raketa lundruese, tre raketa balistike Kalibr dhe tetë raketa Kh-59/69), si dhe 194 dronë, sipas një deklarate të forcave ajrore.

Nga këto, ata pretendojnë se janë rrëzuar 33 raketa lundruese, një raketë Kh-59/69 dhe 100 dronë.

Avionët luftarakë F-16 dhe Mirage 2000 u përdorën për të zmbrapsur sulmin. Kjo ishte hera e parë që avionët francezë Mirage u hodhën në luftë pasi mbërritën në Ukrainë një muaj më parë, sipas forcave ajrore ukrainase.

Ukraina përdori avionët F-16 të furnizuar nga Evropa dhe Mirage-2000 të prodhimit francez për të ndihmuar në kundërshtimin e sulmit të madh ajror rus gjatë natës ndaj infrastrukturës energjetike të vendit.

Të dy avionët mund të përdorin një kombinim të raketave ajër-ajër dhe armët e integruara për të rrëzuar kërcënimet ajrore. Objektivat mund të zbulohen nga radari i integruar në avion. Nuk ka ende informacion të saktë se çfarë u shkatërrua nga avionët, por F-16-tat – të pilotuar nga ukrainas – kanë qenë tashmë të suksesshëm në rrëzimin e raketave lundruese dhe dronëve, duke plotësuar mbrojtjen ekzistuese ajrore si sistemet me raketa tokë-ajër.

Avionët francezë mbërritën në Ukrainë muajin e kaluar dhe kjo është hera e parë që janë përdorur për të zmbrapsur një sulm ajror në këtë mënyrë. F-16-tat janë në Ukrainë që nga gushti i kaluar, duke marrë pjesë kryesisht në misione mbrojtëse ajrore dhe operacione ajër-tokë.

Franca i premtoi këta avionë në qershorin e kaluar, kur Emmanuel Macron njoftoi se ata do të dërgoheshin në Ukrainë dhe se pilotët ukrainas do të trajnoheshin gjatë verës.

Avionët mbërritën në shkurt pasi pilotët përfunduan trajnimet e tyre në dhjetor.

Top Channel

BIG BROTHER BIG BROTHER - Portokalli - AG SHOW - Bileta