Trump do të mbyllë Departamentin e Arsimit? WSJ: E vërtetë, por duhet vota e Kongresit! Mohon Shtëpia e Bardhë

07/03/2025 13:55

Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë lajmet që qarkulluan në mediat amerikane, sipas të cilave presidenti Donald Trump po planifikon lëshimin e një urdhri ekzekutiv ku e udhëzon sekretaren e tij të sapokonfirmuar të arsimit, Linda McMahon, të punojë për mbylljen e departamentit që drejton tani.

Një draft i urdhrit që qarkulloi së fundi e pohonte në fakt, se presidenti vetë nuk ka fuqinë të marrë një masë të tillë.

Për mbylljen e Ministrisë së Arsimit do të duhej një akt i Kongresit dhe 60 vota “pro” në Senat, cka është e pagjasë të arrihet duke pasur parasysh se republikanët kanë vetëm 53 vende atje.

Gazeta “The Wall Street Journal” njoftoi të mërkurën se Presidenti Donald Trump pritej të firmosë një urdhër ekzekutiv që do të realizonte një nga objektivat e tij të hershme, mbylljen e Departamentit të Arsimit. Urdhri ende mund të nënshkruhet sipas gazetës, e cila i referohej personave në dijeni të çështjes, por pa i identifikuar ata.

Presidenti Trump ka bërë vazhdimisht thirrje për eliminimin e departamentit, duke e quajtur veprimtarinë e tij “një mashtrim të madh”. Ai propozoi mbylljen e tij që në mandatin e parë si president, por Kongresi asokohe nuk veproi. Republikanët e kanë kërkuar prej kohësh mbylljen e departamentit, por pavarësisht kësaj McMahon është shprehur në mënyrë të përsëritur se fondet federale për të ndihmuar distriktet shkollore me të ardhura të ulëta dhe studentët, do të vazhdojnë.

Presidenti Trump dhe këshilltari i tij, biznesmeni miliarder Elon Musk janë përpjekur të çmontojnë, pa miratimin e Kongresit, programe dhe institucione qeveritare, siç ishte rasti me Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), por një mbyllje e Departamentit të Arsimit, do të shënonte mbylljen e parë të një agjencie në nivel kabineti qeveritar.

Departamenti mbikëqyr rreth 100,000 shkolla publike dhe 34,000 private, por më shumë se 85% e financimit për shkollat publike sigurohen nga shtetet.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta