Tragjedia e Tempit/ Bomba molotov, gurë e sende të forta, sheshi para parlamentit grek shndërrohet në arenë përleshjesh mes demonstruesve dhe policisë

06/03/2025 11:29

Sheshi Syntagma para parlamentit grek është shndërruar në arenë përleshjesh midis demonstruesve dhe forcave policore mbrëmjen e së mërkurës.

Incidentet e dhunshme kanë ndodhur pasi persona të panjohur kanë hedhur gurë, sende të forta dhe bomba molotov ndaj forcave policore të cilat u përgjigjën duke hedhur drejt tyre bomba me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Konfrontimet që kanë vazhduar disa orë, kanë filluar në fund të një mitingu proteste të mijëra qytetarëve që kërkonin drejtësi për viktimat e aksidentit hekurudhor të Tempit dy vjet më parë ku humbën jetën 57 persona. Demonstruesit, duke përfshirë studentë, familjarë dhe punëtorë, mbajtën një moment heshtjeje përpara se të lëshonin fenerët në ajër dhe me qirinj formuan numrin ’57’, referuar numrit të viktimave.

Më herët, brenda Parlamentit, katër parti opozitare paraqitën mocion mosbesimi kundër qeverisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis gjatë një debati mbi fatkeqësinë më të madhe hekurudhore në vend.

Ishte arroganca juaj, arroganca dhe mosrespekti juaj që i shtyu njerëzit në rrugë dhe sheshe, jo teoritë e konspiracionit që po ringjallni sot. Kjo është arsyeja pse ne sot po paraqesim një mocion mosbesimi”, është shprehur Nikos Androulakis, lideri i Partisë Socialiste PASOK.

76 deputetë nga katër partitë opozitare dhe 9 të pavarur theksojnë në mocion se qeveria e ka humbur mandatin e saj popullor duke e akuzuar atë për shmangie nga përgjegjësia mbi tragjedinë, mosmarrjen e përgjegjësisë, dështimin për të rregulluar boshllëqet kritike të sigurisë  në sistemin hekurudhor dhe përpjekje për të mbuluar provat.

Ndërsa kryeministri grek ka dhënë një shpjegim ndryshe të protestës më të madhe popullore të premten e kaluar duke aluduar se forca nga jashtë Greqisë nëpërmjet rrjeteve sociale kanë ndikuar tek grekët.

“Dy vjet pas tragjedisë së Tempit, ne po jetojmë një zi të përbashkët, të cilën po kërkojnë ta shndërrojnë në pikë përçarjeje”, thotë Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Greqisë.

Ndërsa protesta ka pasur edhe në qytetet të tjera dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, një sondazh i orëve të fundit tregon se Demokracia e Re ka humbur edhe gati 4 pikë duke zbritur në 23,1% , nga 41% në zgjedhjet e 2023.

Gjithashtu për herë të parë prej 6 vitesh të qeverisjes së saj 52,5% e të anketuarve shprehen se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, 6 në 10 vetë nuk kanë besim tek drejtësia greke, 72% thonë se qeveria u përpoq të mbulonte shkaqet e tragjedisë hekurudhore.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta