
Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Elbasanit pas një hetimi 4-mujor me metoda speciale.
Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dhimitër Peqini, 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit Elban Coniku, 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe Artan Lila, 47 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.
Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Top Channel