
Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi të akuzuar për spiunazh paraqiten në seancën fillestare në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 20 shkurt thuhet se Bedri Shabani nga një kohë e pacaktuar e deri në ditën e arrestimit ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë me informacione, materiale e dokumente të ndryshme që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu edhe objekte të caktuara “të tilla si Spitali Ushtarak i UҪK-së dhe njërën prej masakrave në atë mënyrë që të dhënat dhe informacionet ja kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-s, S.R., dhe kolonel B.J., ish-komandant i Policisë së Serbisë gjatë kohës së Luftës në Kosovë”.
Tutje bëhet e ditur se transmetimin e këtyre informacioneve Bedri Shabani e ka bërë përmes komunikimeve telefonike, postës elektronike dhe takimeve fizike të zhvilluara në territorin e Serbisë.
Sipas aktakuzës thuhet se qëllimi kishte “krijimin e një narrative të pavërtetë me qëllim që të ndërlidhin Spitalin Ushtarak të UҪK-së në një zonë, kinse janë bërë trafikim organesh si dhe të vë nën dyshim të vërtetën e masakrës”.
Deri më tani nuk është konfirmuar se për cilën masakër bëhet fjalë, megjithatë raportohet se synohej krijimi i një narrative të rreme për masakrën e Reçakut.
Ndërkohë për të pandehurin tjetër, Muharrem Qerimi në aktakuzë thuhet se ai, ka ndihmuar Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) me informacioneve që nga viti 2012 e deri në ditën e arrestimit “me informacione, materiale e dokumente të ndryshme që kanë të bëjnë me luftën dhe pjesëtarët e UҪK-së, emrat e eprorëve të Policisë së Kosovës, AKI-së, IPK-së, pastaj emrat e dëshmitarëve në lidhje me veprat penale të krimit të organizuar, korrupsionit.
“Me këto veprime i pandehuri ka rrezikuar dhe dëmtuar rëndë rendin juridik kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzë për çka akuzohet për veprën penale të spiunazhit.
Top Channel