
Emisioni Fiks Fare ka sjell një rast mashtrimi nga një agjenci punësimi. Pronari i të cilës merrte para për viza pune dhe kur nuk kthente paratë kërcënonte qytetarët duke ju thënë se ishte kushëriri i Nuredin Dumanit.
Qazim Shima nga Fieri ka denoncuar në emisionin investigativ Fiks Fare një mashtrim që i është bërë nga agjencia ‘Luna Laë’. Ai ka paguar 2150 euro për të përfituar një vizë pune jashtë shtetit dhe për të zgjidhur problemin e tij me ndalimin e lëvizjes në zonën Shengen. Megjithatë, pas pagesës, agjencia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim dhe nuk i ka kthyer paratë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të qytetarit.
Gjatë përpjekjeve të tij për të marrë një zgjidhje, qytetari është përballur me justifikime të ndryshme nga pronari i agjencisë, Elton Dumani. Madje, gjatë një debati për kthimin e parave, atij i është përmendur edhe emri i Nuredin Dumanit, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, si një person me të cilin ata kishin lidhje.
Në momentin që gazetarët e Fiks Fare u interesuan pranë agjencisë, pronari i agjencisë fillimisht i shmangu takimet. Më pas, ai kërkoi që të takojë qytetarin dhe t’i kthejë të gjitha paratë, duke i kërkuar në të njëjtën kohë që të telefononte gazetarët për t’i ndaluar ata që të shkojnë në agjenci. Madje, ai shprehu hapur kërcënime, duke thënë: “Nëse vijnë gazetarët, do t’i vras”.
Mëngjesin e ditës së nesërme, gazetarët e Fiks Fare u paraqitën në agjenci në orën 10:00, ashtu siç ishte rënë dakord me pronarin. Ky i fundit i telefonoi menjëherë gazetarët duke u shprehur se nuk kishte më arsye për t’u takuar, pasi kishte kthyer paratë. Ai fillimisht mohoi të kishte bërë ndonjë kërcënim dhe më pas tentoi të shmangte çdo përgjegjësi ligjore, duke deklaruar: “E zgjidha çështjen, çfarë doni më?”
Top Channel