
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka reaguar menjëherë duke pezulluar nga shërbimi civil Renato Begën, përgjegjës turni në Doganën Vlorë pas denoncimit në emisionin investigativ Fiks Fare.
Gjithashtu ka nisur hetim disiplinor për Artan Bedinin, kryetar i Doganës Vlorë.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka nisur hetimet administrativ për Degën e Doganës Vlorë.
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës se përgjegjësi Renato Bega vepronte në sistem edhe kur ishte fizikisht jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në datat kur ai ishte jashtë vendit, figuronte në dokumente në Portin e Vlorës, duke nxjerrë nga territori i doganës kamionë me mallra.
“Në përgjigje të kërkesës tuaj të datës 03.03.2025 me lëndë “Kërkesë për informacion” si dhe pas transmetimit të emisionit të mbrëmjes në Fiks Fare të po kësaj date, mbi Degën e Doganës Vlorë, Ju informojmë:
Pas transmetimit në emisionin tuaj investigativ të mbrëmjes të datës 03.03.2025, menjëherë brenda ditës së sotme 04.03.2025 u morën masat administrative:
Fillimin e ecurisë disiplinore për Z. Artan Bedini, Kryetar i Degës Doganës Vlorë. Pezullimin nga shërbimi civil të Z. Renato Bega, Përgjegjës turni në Degën e Doganës Vlorë. Nisjen e hetimit administrativ mbi problematikën e trajtuar nga emisioni “Fiks Fare” për Degën e Doganës Vlorë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave vlerëson maksimalisht komunikimin me mediat e shkruara dhe elektronike’, theksohet në njoftim.
Top Channel